Argjentina dhe Franca kanë zhvilluar njërën nga finalet më të mira në histori të futbollit, ku fitues në fund ishin argjentinasit pas penalltive 4-2.
Koha e rregullt prej 90 minutave përfundoi baras 2-2, derisa në lojën shtesë dy kombëtaret realizuan edhe nga një gol për të përfunduar 120 minutat baras 3-3.
Por ishin amerikano latinët të udhëhequr nga Lionel Messi që arritën ta fitonin për herë të tretë Kupën e Botës.
Lionel Messi kishte paralajmëruar tërheqjen nga Kombëtarja, por me ta fituar Kupën e Botës më i miri i historisë tha se ka ndërruar vendim dhe dëshiron të vazhdoj të luaj me Argjentinën tani si kampion bote.

Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni ka folur pas finales së fituar, duke thënë se Messi ka të drejtë të vendos se çfarë do, por ai është i gatshëm t’ia ruaj fanellën me numrin 10 edhe në Botërorin e vitit 2026.Reklama
“Messi ka fituar të drejtën për të vendosur se çfarë dëshiron të bëjë me karrierën e tij në përgjithësi dhe me kombëtaren. Nëse ai dëshiron të vazhdojë të luajë për ne, do t’i ruaj një vend dhe fanellën me numrin 10 për Kupën e Botës 2026. Është kënaqësi ta stërvitësh, nuk kam parë askënd që t’ua transmetojë kolegëve të tij atë që transmeton ai”, deklaroi Scaloni.

Tutje trajneri argjentinas tha se ka një ndjenjë të pabesueshme pasi fitoi Kupën e Botës dhe se të gjithë kanë merita për një sukses të tillë.
“Nuk ishte në planet e mia, sinqerisht, por gjëja më e rëndësishme ishte se si ia arritëm. Ndjenja është e pabesueshme, loja ishte vërtet e çmendur. Ne jemi kampionë bote me meritë. Këtu nuk ka ego apo individualitet, të gjithë po lundrojmë në të njëjtin drejtim”, u shpreh Scaloni.Reklama
Kujtojmë që trajneri argjentinas bëhet ndër të rrallët që arrin të fitojë në Kupën e Amerikës, por edhe në Kupën e Botës. /Telegrafi/