SBASHK-u thotë se 70% e shkollave nuk kanë mbajtur mësim sot


Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka thënë se në 70 për qind të institucioneve të arsimit fillor e të mesëm të ulët këtë të shtunë nuk është mbajtur fare mësimi.

SBASHK-u thotë se në pjesën tjetër të shkollave numri i nxënësve ka qenë tepër i vogël, prandaj edhe aty nuk mund të thuhet se ka pasur proces mësimor.

“Kjo është vlerësuar në takimin e jashtëzakonshëm që SBASHK-u ka mbajtur me kryetarët e nivelit komunal sindikal të cilët kanë raportuar lidhur me gjendjen e sotme në komunat e tyre”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas SBASHK-ut, MASHTI që në fillim të javës që po vjen  duhet të mbajë takim urgjent me përfaqësues të Asociacionit të Komunave, të kolegjiumit të drejtorive komunale të arsimite, të Këshillit të Prindërve dhe SBASHK-ut për të bërë përpjekje të përbashkëta dhe për të arritur marrëveshje të pranueshme lidhur me orët e humbura në grevë, transmeton Telegrafi.

“Nëse nuk veprohet kështu, atëherë do të kemi  situatë të njëjtë edhe në të shtunat tjera e aq më shumë edhe në ditët e rregullta të punës procesi mësimor  nuk do të ketë rrjedhë të mbarë nga debatet që do të zhvillohen  lidhur me çështjen e orëve e ditëve të humbura në grevë”.

Ndryshe edhe Këshilli i Prindërve i Kosovësvazhdon të mbrojë qëndrimin se orët e humbura gjatë grevës së mësimdhënësve në muajin shtator nuk duhet të kompensohen me mësim të shtunave.

Ndryshe, greva në tërë sektorin e arsimit ka filluar më 25 gusht dhe është pezulluar më 1 tetor. Kërkesa kryesore e tyre ishte shtesa nga 100 euro deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga. Greva u pezullua deri në janar të vitit të ardhshëm dhe kjo u bë pa marrëveshje me Qeverinë.

Një ditë më pas, ministrja Nagavci publikoi vendimin për ndryshimin e kalendarit të vitit shkollor, sipas së cilit orët e humbura kompensohen të shtunave, duke filluar nga kjo javë. Megjithatë, me këtë vendim nuk u pajtuan as nga SBASHK-u, as prindërit e as komunat. Ata po refuzojnë që mësimi të zëvendësohet të shtunave, duke rekomanduar të gjenden zgjidhje tjera.