Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka paralajmëruar protestë më 4 dhjetor për shkak të mosmiratimit të Ligjit të Pagave.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme që SBASHK-u mbajti me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve, tha se nëse Qeveria nuk reflekton atëherë mund të merren edhe masa tjera sindikale, duke përfshirë edhe grevën.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari, tha se po mungon vullneti nga ana e qeverisë për tu takuar me sindikatën, ku përmendi kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfefeve Hekuran Murati.
Kryetari i SBASHK-ut tha se opsion pas 4 dhjetorit do të jetë një protestë më masive, ndërsa më pas në janar edhe veprime të tjera sindikale.
“SBAShK-u veprimin e parë sindikal do të bëjë të shtunën e 4 dhjetorit me pjesëmarrje të kufizuar. 4 dhjetori do të jetë alarmi i fundit për qeverinë. Opsioni i parë pas 4 dhjetorit është ta përgatisim një protestë, që nënkupton në atë protestë do të jenë të gjithë. Pas kësaj do të fillojmë me grevën e përshkallëzuar”, tha ai.
Ai më tej tha se edhe pse nga Qeveria është deklaruar se po punohet në Ligjin e pagave, në këtë diskutim nuk janë përfshirë sindikatat.
Ndryshe, lidhur me Ligjin e pagave është deklaruar sot edhe zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci.
Ai ka thënë se SBASHK-u duhet të tregojë durim.
“Adresa e SBASHKU me Qeverinë është përmes Ministrisë së Arsimit. Ata kanë shprehur pakënaqësi sa i përket Ligjit të pagave që ka të bëjë me të gjithë sektorët. Unë sipas informacioneve që kam, është duke u punuar në ligj dhe brenda këtij viti pritet të ketë disa rezultate. SBASHK-u duhet të tregojë durim”, tha ai.