Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka paralajmëruar përshkallëzim të masave sindikale pas datës 4 dhjetor nëse Qeveria e Kosovës dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës vazhdojnë injorimin e kërkesës së tyre për përfshirjen e kostos së Ligjit të Pagave në Ligjin për Buxhet të vitit të ardhshëm.
Koordinatori i SBAShK-ut, Ymer Ymeri ka thënë për Telegrafin se kanë kërkuar takime me anëtarët e Komisionit për Buxhet e Financa si dhe me shefat e Grupeve Parlamentare të partive politike, por nga asnjëra palë nuk kanë marrë përgjigje.
“Ne i jemi drejtuar edhe Komisionit për Buxhet edhe Financa për takim para se të miratohet Projektligji për Buxhetin, e ata sot e kanë miratuar, neve nuk na kanë takuar, po ashtu ju kemi bërë shkresë edhe shefave të Grupeve Parlamentare që edhe me ta të bisedojmë, që të bëjmë plotësim-ndryshim të Projektligjit të Buxhetit 2022, që të përfshihet edhe kostoja e Ligjit të Pagave por nuk kemi takime”, tha Ymeri.
Ai tutje shtoi se paralajmërimi i një greve të përgjithshme që është bërë për në muajin janar të vitit të ardhshëm, mund të bëhet në dhjetor nëse institucionet vazhdojnë t’i injorojnë.
“Paralajmërimi për datën 4 dhjetor që e kemi bërë qëndron, dhe nëse injorohemi tërësisht atëherë paralajmërimi për grevën e përgjithshme mund të kaloj nga janari që është planifikuar për në dhjetor. Menjëherë pas 4 dhjetorit të fillojmë me përshkallëzim të grevës nëse injorohen kërkesat”, tha koordinatori i SBASHK-ut, Ymer Ymeri.
Të njëjtën kërkesë e kanë edhe nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës të enjten do të marrë vendim rreth mbajtjes së grevës e mund të ketë edhe masa më radikale, nëse deri atëherë nuk marrin përgjigje nga Qeveria e Kosovës.
Kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se do të dërgojnë edhe njëherë kërkesë Qeverisë për t’i përfshirë në proces të hartimit të Projektligjit për Paga.
Syla tha se të enjten Këshilli Drejtues i FSSHK-së do të paralajmërojë grevën, nëse Qeveria vazhdon ta injorojë kërkesën e tyre.
“Para ditës së enjte ne do të dërgojmë edhe njëherë kërkesën Qeverisë së Kosovës, pasi të enjten e kemi mbledhjen e Këshillit Drejtues në nivel nacional edhe faktikisht e paralajmëron grevën, nëse Qeveria nuk reflekton”, tha Syla për Telegrafin.
Sipas Sylës, greva mund të nis me një ditë, por ai tha se ka mundësi që të ketë masa më radikale.
“Nëse nuk ka përgjigje të Qeverisë atëherë shkojmë në veprime sindikale, se çfarë do të jenë ato shohim, mund të fillojë një ditë total, kuptohet përveç urgjencës kuptohet. Pastaj mund të shkojmë edhe në masa më radikale”, theksoi Syla.
Ndërkaq, rreth dy javë më parë Qeveria ka miratuar Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022, ku kostoja për Ligjin e Pagave nuk është e përfshirë.
Kurse ky Projektligj sot ka marrë dritën e gjelbër nga Komisioni për Buxhet dhe Financa.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka prezantuar para deputeteve Projektbuxhetin për vitin 2022, i cili parashihet të jetë mbi 2.7 miliardë euro.