Sami Lushtaku e pranon fajësinë për kanosjen e avokatit Gazmend Halilaj

 Në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën, Sami Lushtaku e ka pranuar fajësinë për kanosjen e avokatit Gazmend Halilaj.

Ndërsa kushëriri i tij, Ibrahim Lushtaku si dhe i akuzuari Xhelal Zeqiri e kanë pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, përderisa janë deklaruar të pafajshëm për veprat e tjera.

Sipas aktakuzës, Sami Lushtaku po akuzohet për veprën penale të kanosjes kurse Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri po akuzohen për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë. Po ashtu, këta të fundit po akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa Ibrahim Lushtaku edhe për asgjësim apo dëmtim të pasurisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sami Lushtaku po akuzohet se pas një shkrimi të të dëmtuarit Gazmend Halilaj, në rrjetin social “Facebook”, të datës 11 prill 2020, në të cilin pretendohej se Sami Lushtaku qëndron prapa keqpërdorimit të 1.4 milion markave gjatë kohës së luftës, ky i fundit e kishte thirrur në telefon Halilajn dhe i ka kërkuar që t’i heqë ato shkrime duke e sharë fyer dhe me qëllim të frikësimit e kishte kërcënuar me fjalët “ku je se pa ardh me të kall nuk kam me lan”, me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.

Me këtë, Sami Lushtaku po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181 par2 të Kodit Penal.

Për këtë vepër penale, dënimi i paraparë është me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Sipas aktakuzës, pasi që avokati Gazmend Halilaj kishte bërë një shkrim në rrjetin social “Facebook”, më 11 prill 2020, kundër Sami Lushtakut, kushëriri i këtij të fundit, Ibrahim Lushtaku, me qëllim të hakmarrjes dhe në bashkëkryerje edhe me të akuzuarin Zeqiri, më 14 prill 2020, ia kishin zënë pritën Halilajt.

Me të parë Halilajn, vazhdon aktakuza, i akuzuari Ibrahim Lushtaku me dashje që ta privojë nga jeta e ka goditur fuqishëm veturën e të dëmtuarit Halilaj, ashtu që në këtë moment, Halilaj kishte dalë nga vetura dhe kishte filluar të ikë. Sipas aktakuzës, edhe të akuzuarit Lushtaku dhe Zeqiri kishin dalë pastaj nga vetura dhe kishin shtënë me armë në drejtim të Halilajt por nuk kishin arritur ta godasin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me këto veprime, prokuroria i akuzon Ibrahim Lushtakun dhe Xhelal Zeqirin se kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë.

Për shkak se i kishte shkaktuar dëme në lartësi prej 2,700 euro veturës së të dëmtuarit Halilaj, Ibrahim Lushtaku akuzohet nga prokuroria edhe për veprën penale të asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë.

Po ashtu, Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri akuzohen edhe se në kundërshtim me ligjin për armët kanë mbajtur armë pa leje. Lushtaku akuzohet se ka mbajtur pa leje një revole të tipit “Ekol”, kurse Zeqiri një armë të tipit “Cervena Zastava”.

Me këtë, të dy këta akuzohen për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /BetimipërDrejtësi/