Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka njoftuar se është shpallur “person i padëshiruar” nga Britania e Madhe dhe i është ndaluar hyrja në këtë shtet.
Britania bëhet shteti i dytë që fut Berishën në listë të zezë, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që e ndërmorën një vendim të tillë vitin e kaluar.
Në një deklaratë për mediat, Berisha, i rikthyer në politikë si kryetar i Partisë Demokratike në opozitë, theksoi që ky vendim i është komunikuar përmes një letre nga Ministria e Brendshme britanike.
Ai tha se në letrën që i është dhënë theksohet se ky vendim është marrë për shkak të “lidhjeve të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në Mbretëri të Bashkuar dhe se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike, si edhe për korrupsionin”.
Berisha e quajti këtë vendim politik dhe pjesë të “shpifjeve të sponsorizuara nga Soros”.
Gjatë seancës së Kuvendit të enjten, gjatë një shkëmbimi akuzash mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Berishës, Rama sinjalizoi se ish-kryeministri është i përfshirë në listën e personave të padëshiruar nga Britania e Madhe.
“Disa orë pasi Edi Rama dha lajmin për vendimin që do të merrte Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, jam njoftuar me një letër se sekretari i Brendshëm ka marrë vendimin për moslejimin e hyrjes sime në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Berisha.
Britania e Madhe të enjten, më 21 korrik, ka njoftuar se ka vendosur të shkëpusë marrëdhëniet me disa figura politike në Shqipëri, emrat e të cilëve nuk i ka bërë publik.
Në një shkrim, i dërguari i posaçëm i Britanisë për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, tha se zëri i qytetarëve të Shqipërisë mbytet për shkak të “mbështetjes që disa figura publike marrin nga kriminelët në shkëmbim të akteve të tyre korruptive”.
“Qoftë nëpërmjet sanksioneve, veprimeve të imigracionit apo politikave të mosangazhimit, Mbretëria e Bashkuar do të veprojë për të çrrënjosur korrupsionin dhe krimin e organizuar”, shkroi Peach.
Berisha dhe anëtarët e familjes së tij janë shpallur “persona të padëshiruar” edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në maj të vitit 2021.