Ish-lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha këtë të hënë deklaroi se Lulzim Basha tashmë është një deputet dhe anëtar grupit parlamentar të kësaj partie.
Berisha e konsideroi këtë konferencë si më të veçantën nga të gjitha.
“Nga të gjitha konferencat e shtypit të karrierës time 30 vjeçare ju garantoj se kjo konferencë është me e veçanta nga gjithë të tjerat. Kjo konferencë mbahet sot pas Kuvendit Kombëtar të rithemelimit të PD. Ngjarje kjo absolutisht unike si monument lirie e grave, vajzave dhe burrave të lirë”, tha ai.
Ai e quajti Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit si një nga kuvendet më perëndimore në rrafshin e vlerave demokratike që sanksionoi në Kushtetutën e PD-së.
“Jehona e këtij Kuvendi, siç ishte unik në llojin e tij është e jashtëzakonshme në çdo votër dhe zemër shqiptari”, tha ai.
Ish-kryeministri Berisha u bëri edhe një thirrje të gjithë demokratëve, deputetëve dhe kryetarëve të degëve t’i bashkohen rithemelimit të partisë, duke u kujtuar atyre se vlerat dhe kontributet e dhëna nuk do të hidhen poshtë.
“Unë i ftoj të bashkohen, duke u thënë se kontributi i tyre do të vlerësohet. Vendi i tyre është aty ku janë idealet më fisnike dhe jo tek një parti, ku dy muajt e fundit, deputeti Basha e katandisi në një parti të ekstremit të majtë”, tha Berisha.