Apeli i Gjykatës së Posaçme pritet të vendosë mëngjesin e së enjtes, nëse do të qëndrojë në fuqi masa “arrest shtëpie” për ish-kryeministrin Sali Berisha. Avokatët e tij Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, kërkojnë një masë më të butë për ish-kryeministrin që akuzohet për korrupsion pasiv gjatë privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”.
Ai dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin u ndërtuan një grup pallatesh. Berisha ndodhet në “arrest shtëpie” që prej datës 30 dhjetor.
Një ditë më parë, ish-kryeministri Berisha u paraqit për herë të parë në SPAK në cilësinë e një personi nën hetim për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Pas dëshmisë, duke folur për mediat, ai akuzoi prokurorët se kishin ricikluar edhe trillimet e tyre dhe i kishin përfshirë ato në dosjen hetimore.
Ndërsa në protestën e radhës të zhvilluar në mbrëmje pranë banesës së tij, Berisha tha se shkoi në prokurori pasi Rama nuk i lejonte prokurorët që ta merrnin në pyetje, pasi kishin frikë nga përgjigjet e tij. Ish-kryeministri bëri akuza të forta edhe ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani duke e konsideruar një të korruptuar politik.