Saimir Tahiri lë burgun, arsyeja që bindi Gjykatën të lirojë ish-ministrin

Ish-ministri i Brendshëm në Shqipëri, Saimir Tahiri lë burgun, për të vazhduar dënimin në “arrest shtëpie”, sipas vendimit të Gjykatës së Elbasanit.

Me kërkesë të prokurorit të çështjes Mustafa Turku, gjyqtarja Matilda Fetahu shpalli vendimin për të liruar Tahirin. Vendimi u dha në Gjykatën e Elbasanit, në orën 09:00.

Për ish-ministrin janë dy ekspertiza mjeko-ligjore, që arsyetojnë se përse ai nuk mund të qëndrojë në burg për pjesën e mbetur të dënimit.

Hoxha mëson se në njërën prej tyre, thuhet se Tahiri ka probleme shëndetësore. Ndërsa në akt-ekspertizën e dytë, shpjegohet se bashkëshortja e ish-ministrit nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe për pasojë, nuk ka kush të kujdeset për fëmijët. Kërkesa, që është bërë gjashtë muaj më parë në Gjykatën e Elbasanit, u pranua këtë të premte.

Ndërkohë, avokati i Tahirit shprehet se kushtet për lirimin e klientit të tij janë plotësuar.

 “Janë kushtet që janë plotësuar. Saimir Tahirit i ka mbetur dhe një vit, shtatë muaj dhe 11 ditë. Kushtet thonë që të këtë fëmijë të mitur dhe ligji thotë që bashkëshortja të jetë në pamundësi dhe bashkëshortja e Tahirit është sëmurë. Nuk ka rrezikshmëri dhe vetë personi të mos ketë rrezikshmëri. Këto katër kushte që janë lehtësisht të provuara, e çuan gjykatën të ndryshojë masën”, u shpreh Maks Haxhia.

Tahiri u dënua me 3 vjet e katër muaj burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi gjatë kohës në krye të dikasterit të rendit, Habilajt kultivuan kanabis sativa.

Por, për të ulur dënimin dhe për të fituar lirinë, Tahiri ka futur në lojë të gjitha kartat.

Në dhjetor të vitit të kaluar, SPAK-u, shërbimi i provës dhe i burgosuri VIP iu drejtuan Gjykatës së Elbasanit.

Një kleçkë procedurale atëherë e bindi Saimir Tahirin se deri në datën 4 shkurt 2022 kur u vendos që ai të shkonte në qeli, koha po ecte për të si për një të dënuar nën shërbim prove.

Ish-ministri i tha Gjykatës së Elbasanit se SPAK harroi të nxirrte një urdhër të ekzekutimit të dënimit pavarësisht se ai u paraqit pranë shërbimit të provës.

Shërbimi i provës këmbëngulte se ish-zyrtari u paraqit vetëm njëherë dhe u refuzua pasi prokuroria nuk kishte sjellë urdhër.

SPAK insistoi se vendimi nuk ishte i formës së prerë dhe nuk kishte shkak ligjor pse të nxirrte urdhër ekzekutimi.

Vendimi i Gjykatës së Elbasanit:

I dënuari Saimir Bashkim Tahiri, i datëlindjes 30.10.1979, bazuar në nenin 59/a,

Shkronja “b” të Kodit Penal, pjesën e pavuajtur të dënimit me burgim prej 1(një) vit, 8(tetë) muaj dhe 15 (pesëmbëdhjete)dite, ta vuaje me “Qëndrim në shtëpi”, ne adresën e banimit: Rruga “Kodra e Diellit”, pallati Nr.3, Bashkia Tirane.
3. Lejohet i dënuari Saimir Bashkim Tahiri, që gjatë periudhës së qëndrimit në shtëpi të largohet nga vendbanimi tij për plotësimin e nevojave të domosdoshme familjare për të cilat Shërbimi i Provës është dakord.

Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të dënuarit Saimir Bashkim Tahiri, nga vuajtja e mëtejshme e dënimit në I.E.V.P. Kosovë Lushnje, në zbatim të këtij vendimi, nëse nuk mbahet i arrestuar apo i dënuar për kryerjen e ndonjë vepre tjetër penale.5. Një kopje e këtij vendimi t’i dërgohet Prokurorisë pranë Gjykatës se Shkalles se Pare te Juridiksionit te Përgjithshëm Elbasan për zbatimin e tij dhe Institucionit të Ekzekutimit te Vendimeve Penale Kosovë, Lushnje”