Safari është shfletues interneti i Apple që vjen i instaluar në çdo Mac, iPhone dhe iPad.
Vitin e kaluar, shfletuesi humbi vendin e dytë ndaj Microsoft Edge në renditjen e shfletuesve të internetit më të njohur në botë, transmeton Telegrafi.
Por të dhënat e reja tregojnë se shfletuesi i Apple e ka kaluar sërish Edge-in dhe është kthyer në vendin e dytë si shfletuesi më i përdorur në botë për desktop.
Sipas Statcounter, i cili mat popullaritetin e shfletuesve të uebit bazuar në të dhënat e mbledhura nga faqet e internetit të shumta, Safari është përsëri shfletuesi i dytë më i popullarizuar për ueb në botë.
Më konkretisht, 11.87 për qind e përdoruesve të desktpopit e kanë përdorur rregullisht Safarin, derisa Microsoft Edge tani renditet i treti me 11 për qind.
Google Chrome në anën tjetër mbetet shfletuesi më i përdorur i uebit për desktop në botë me 66.13 për qind të pjesës së tregut.