Mbi 659 mijë aplikime për vizë Schengen janë parashtruar nga qytetarët e Kosovës që kur ka nisur dialogu me Komisionin Evropian për liberalizim vizash më 2012 e deri në fund të vitit 2021, sipas të dhënave të KE-së.
Parlamenti Evropian pritet ta votojë sot vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – me çka edhe procedurat për këtë çështje i afrohen fundit. Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024.
Sipas të dhënave të Grupit për Ballkanin (BRPG), 60% e kosovarëve kanë kërkuar vizë Schengen, që mundëson lëvizjen e lirshme në vendet e BE-së, për vizita turistike. Interesimi i kosovarëve për të vizituar vendet e BE-së kishte qenë në rritje deri në vitin 2020, kur trendi ndryshoi shkaku i COVID-19. Më së shumti kërkesa ka pasur në vitin 2019, me 108 mijë e 774. Në vitin 2020, pati 24 mijë e 566 kërkesa.
Sipas një hulumtimi të bërë nga BRPG-ja, qytetarët e Kosovës kanë paguar mesatarisht 165 euro për aplikimin për vizë Schengen. Kjo kosto arrin shifra prej dhjetëra miliona eurosh kur merret parasysh numri i aplikimeve në vit.
Sipas të dhënave të Grupit për Ballkan, kosovarët shpenzojnë mesatarisht 165 euro për aplikim për vizë Schengen. Kjo del se për pesë vjet, në periudhën 2016-2021, janë shpenzuar mbi 72 milionë euro.
Po i njëjti hulumtim i BRPG-së thekson se kosovarët kanë pritur mesatarisht nga një deri në gjashtë muaj deri në përfundimin e procedurës për vizë në zonën Schengen. Përveç kësaj pritjeje, kosovarët janë ankuar edhe për pritje të gjata në rend për dorëzimin e dokumenteve. Por, me gjithë pritjet e gjata dhe paratë e shpenzuara gjatë aplikimit, një numër i aplikuesve është përballur me përgjigje negative. Ndër vite janë refuzuar me 11 dhe 21 për qind të aplikimeve.
Komisioni Evropian në vitin 2018 kishte propozuar liberalizimin e vizave për Kosovën. Edhe Parlamenti Evropian e kishte mbështetur këtë vendim, mirëpo vendet si Franca dhe Holanda nuk ishin të pajtimit. Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Schengen. /REL/