Ekspertët kanë rekomanduar gjithnjë që njeriu duhet të kryejë aktivitet fizik çdo ditë dhe të paktën të kryejë disa mijëra hapa.
A mjaftojnë 10,000 hapa për të përmirësuar shëndetin?
A duhet ecur më shumë apo më pak?
Numri i hapave që duhet hedhur çdo ditë është në varësi të peshës trupore dhe objektivit që i keni vënë vetes.
Sipas të dhënave, një njeri ecën mesatarisht 4,000 hapa në ditë.
Vlerat e ecjes në shëndet
Ecja është një lloj aktiviteti fizik, të cilin mund ta kryejnë të gjithë. Për të ecur, njeriu ka nevojë për një palë atlete të mira dhe të rehatshme për këmbën. Çdo pajisje tjetër është e panevojshme.
Sipas studimeve, ecja si një aktivitet i rregullt fizik mundet të pakësojë rrezikun e shfaqjes së: sëmundjeve të zemrës, mbipeshës, diabetit, tensionit të lartë të gjakut, depresionit.
Ekspertët më në zë të shëndetit rekomandojnë që njeriu duhet të ecë të paktën 150 minuta në javë. Sipas tyre, ecja duhet të jetë e shpejtë.
Intensiteti i ecjes duhet rritur gradualisht javë pas jave, thonë ata.
Sipas studimeve, njeriu mund të kryejë 30 minuta ecje të shpejtë për pesë ditë në javë ose të ecin nga 10 minuta disa herë në ditë.
Nëse ecja e shpejtë ju duket e vështirë, sërish është më mirë të jeni në lëvizje se të mos bëni asgjë.
Çdo lëvizje është në të mirë të shëndetit, thonë shkencëtarët.
Si të ecni më shumë çdo ditë
Pasi të keni vendosur një objektiv, modifikojeni rutinën tuaj sipas qëllimit.
Ecni çdo ditë me një mik ose edhe vetëm.
Dëgjoni muzikë ritmike që t’ju motivojë për të ecur më shpejt.
Dilni shëtitje në parqe me familjen ose të afërmit.
Ecni edhe në zyrë në mënyrë që të jeni në lëvizje.
Vendosni alarm në kalendar dhe kryeni ecje të shkurtra herë pas here.
Zbritja dhe ngjitja e shkallëve llogariten si hapa shtesë dhe ndihmojnë për rënien në peshë. /Agroweb/