Rusia të mërkurën ka lëshuar një deklaratë ku thuhet se mbrëmë ukrainasit kanë tentuar të sulmojnë me dronë rezidencën e presidentit Vladimir Putin në Kremlin, shkruan Reuters.
“Dy dronë erdhën në drejtim të Kremlinit. Si rezultat i veprimeve në kohë të ushtrisë dhe shërbimeve speciale me përdorimin e sistemeve të radarëve luftarakë, dronët u vunë jashtë veprimit. Si rezultat i rënies së tyre dhe fragmenteve të shpërndara në territorin e Kremlinit, nuk ka pasur viktima apo dëme materiale”, thuhet në reagim.
Moska deklaroi se i konsideron këto veprime si një akt të planifikuar terrorist dhe një përpjekje për të sulmuar Putinin, i cili u krye në prag të Ditës së Fitores, 9 maj, në të cilën janë planifikuar të marrin pjesë edhe mysafirë të huaj.
“Si rezultat i këtij akti terrorist, presidenti nuk u lëndua. Orari i tij i punës nuk ka ndryshuar, ai vazhdon si zakonisht. Pala ruse rezervon të drejtën të marrë masa hakmarrëse ku dhe kur e gjykon të përshtatshme”, vijon reagimi i rusëve.
Ka pasur edhe më herët raportime që Ukraina ka tentuar ta vrasë Putinin kur ka marrë pjesë në mitingje të ndryshme. Është një lloj “hakmarrje”, pasi në fillim të pushtimit, Putini dërgoi forca në Kiev për ta ekzekutuar Vlodymyr Zelenskyn.