Më shumë se 1,000 ushtarë rusë kanë vdekur gjatë operacionit ushtarak në Ukrainë, njoftoi Moska të premten, duke shtuar se 93% e territorit të provincës Luhansk është “çliruar” nga e ashtuquajtura Republika Popullore e Luhanskut (LNR), ndërsa e ashtuquajtura Republika Popullore e Donetskut (DNR) ka marrë kontrollin mbi 54% në provincën Donetsk.
Agjencitë ruse të lajmeve cituan ministrinë e mbrojtjes të thoshte se rreth 1,351 ushtarë janë vrarë që nga fundi i shkurtit, shkruan Daily Sabah, përcjell Telegrafi.
“Për fat të keq, gjatë operacionit special ushtarak ka humbje në mesin e shokëve tanë. Deri më sot, 1,351 ushtarakë kanë vdekur dhe 3,825 janë plagosur”, thuhet në një deklaratë.
Ministria më herët tha se objektivat kryesore të fazës së parë të “operacionit special” të Rusisë në Ukrainë ishin përfunduar.
Megjithatë, sipas informacioneve të Ukrainës, ata pretendojnë se rreth 15,600 trupa ruse u vranë në vetëm një muaj luftime – gati 15 herë më shumë se numri që Rusia deklaroi të premten.
Ministria pohoi se ka shumë kërkesa nga rusët që duan të marrin pjesë në “operacionin” në Ukrainë.
“Ne i kemi ofruar udhëheqjes së LNR-së dhe DNR-së që ta pranojnë këtë ndihmë, por ata thanë se do ta mbrojnë vetë tokën e tyre”, ka pretenduar ministria.
Ministria shtoi se Rusia do të vazhdojë me operacionin e saj derisa të arrijë objektivat e vendosura nga presidenti Vladimir Putin, raportoi RIA.
Ajo nuk përjashtoi mundësinë e sulmit në qytetet ukrainase që ishin bllokuar dhe se Rusia do të reagonte menjëherë ndaj çdo përpjekjeje për të mbyllur hapësirën ajrore mbi Ukrainë – diçka që Kievi i ka kërkuar NATO-s ta bëjë, por NATO ka rezistuar.
Rusia dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë më 24 shkurt në “operacionin e saj special” për të dobësuar aftësitë ushtarake të fqinjit të saj jugor dhe “për të çrrënjosur” njerëzit që i quajti nacionalistë të rrezikshëm.
Forcat ukrainase kanë ngritur rezistencë të ashpër ndaj pushtimit dhe Perëndimi ka vendosur sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë në një përpjekje për ta detyruar atë të tërheqë forcat e saj.