Edhe pak ditë kanë mbetur nga rundi i ri i bisedimeve mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Në takimin e 18 marsit pritet që palët të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.
Palët janë pajtuar se nuk ka nevojë që për këtë propozim – që Kosovës dhe Serbisë u është dorëzuar vitin e kaluar – të ketë negociata shtesë. Propozimi synon që t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.
Në këtë dokument prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashkimi Evropian më 27 shkurt – nuk përmendet në mënyrë specifike njohja e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.
Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë insistuar që Kosova të themelojë Asociacionin, dhe si Brukseli, ashtu edhe Uashingtoni kanë thënë se nuk duan që Asociacioni t’i ngjasojë entitetit të Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë.
Deklarata e fundit e Kurtit ishte se janë duke trajtuar 15 modelet evropiane të ofruar nga Bashkimi Evropian për krijimin në Kosovë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kurti nuk deshi të përmendte modelet që BE-ja u ka ofruar autoriteteve të Kosovës, por tha se disa janë më të hershme, e disa edhe rishtazi, që përdoren në shtetet evropiane ku jetojnë pakica kombëtare.
“Unë besoj se ato janë modele nga të cilat ne do të mund të marrim elemente në mënyrë që jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të drejtat e pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur edhe në vendin tonë. Ato po trajtohen nga këshilltarët e mi, nga disa prej ministrave në mënyrë që ta shohim se çka është më e favorshme. Natyrisht, kushtetutshmëria, ligjshmëria, barazia, funksionimi i shtetit janë diçka me të cilat ne nuk bëjmë asnjëherë askund kompromis”, tha Kurti për gazetarët.
Në fillim të marsit, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, deklaroi se ekzistojnë disa modele ekzistuese funksionale për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai tha se këto modele për të drejtat e minoriteteve janë në përputhje me standardet evropiane.
Ndryshe, pas takimeve në Kosovë, Lajçaku dje u prit edhe nga Vuçiqi në Beograd, ku kanë diskutuar lidhur me takimin e ardhshëm.