Rukiqi: Punëtorët në zonat e karantinës mund të lëvizin me lejet e lëshuara nga ATK-ja

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se të gjithë punëtorët dhe mallrat në zonat që janë të futura në karantinë do të vazhdojnë të lëvizin sipas lejeve të Administratës Tatimore.

Rukiqi me anë të një shkrimi në Facebook, ka treguar se, Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk ka publikuar procedura të reja.

“Për lëvizjet e punëtorëve dhe të mallrave, në zonat e karantinuara. Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk ka publikuar procedura të reja për lëvizjen e punëtorëve dhe të mallrave. Pra vlejnë ato që kanë ekzistuar deri tani; Në komunikimet e fundit me këtë Ministri, është e konfirmuar që mund të lëvizet me lejet të cilat janë lëshuar nga ATK”, njofton Rukiqi.

Lidhur me këtë, ATK kishte njoftuar se bazuar në urdhëresën e Ministrisë së Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), të datës 23 mars 2020, është duke ju dërguar përmes e-mailit formën e vërtetimit për lëvizje të lirë të bizneseve, të cilat janë të regjistruara sipas NACE KODIT, të listuar në urdhëresën e lartpërmendur.

Formulari “Vërtetim për lëvizje te lirë” duhet të plotësohet me të dhënat e kërkuara për firmën/subjektin dhe për secilin punonjës, për të cilët kërkohet lëvizje e lirë, përgjatë orareve me kufizim në situatën e emergjencës për shëndetin publik.

Pas vendosjes së qytetit të Prishtinës në karantinë, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, kërkojnë nga Qeveria në detyrë e Kosovës, respektivisht Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, që të nxjerrin me urgjencë një udhëzim për të eliminuar paqartësitë që ekzistojnë në mesin e ndërmarrjeve.

Sipas tyre, një udhëzim i tillë do për sa i përket lëvizjeve të punëtorëve dhe mallrave nga Prishtina në komunat e tjera dhe anasjelltas për të gjitha ndërmarrjet të cilat ushtrojnë aktivitet të furnizimit dhe transportit të mallrave.