Rukiqi: Mosstabiliteti politik ka “efekt kancerogjen” në ekonomi – bajate premtimet elektorale

Oda Ekonomike e Kosovës po vazhdon ta përcjellë trendin ekonomik në vend dhe ndikimin e koronavirusit në të.

Kështu është shprehur kryetari i këtij institucioni, Berat Rukiqi, në një intervistë për KlanKosova.tv.

Ai ka thënë se zgjatja e orarit të lëvizjes dhe si rrjedhojë edhe orarit për zhvillimin e veprimtarisë nga ana e operatorëve ekonomikë ka pasur ndikim simbolik që sipas tij është reflektuar në qarkullim.

Rukiqi ka folur edhe për premtimet elektorale që që po bëhen në prag të zgjedhjeve, ku ka shtuar: “Në përgjithësi po e vërej edhe një cikël zgjedhor me premtime bajate dhe të cilat nuk e kanë brenda vetes një qasje zhvillimore. Shumica e këtyre premtimeve synojnë një paqe sociale, me rritje artificiale të skemave sociale dhe të rolit të sektorit publik, por në asnjë rast nuk vërehet ndonjë element zhvillimor”.

Që të këndellet ekonomia, ai ka theksuar se shteti duhet të japë përkrahje direkte finnciare për bizneset si dhe të bëjë lehtësira tatimore.

Për të kyçe në këtë situatë është edhe rritja e investimeve publike.

Poashtu mosstabiliteti politik në vend, sipas Rukiqit ka “efekt kancerogjen”.

INTERVISTA E PLOTË:

Sa po vazhdon Oda Ekonomike e Kosovës t’i ndjekë zhvillimet në ekonomi, marrë parasysh situatën me pandeminë e COVID-19 me të cilën po përballet vendi tash e mbi 10 muaj?

Berat Rukiqi: Ne nuk jemi ndalur të jemi zëri i biznesit në situatën më të rëndë ekonomike për vendin, që nga paslufta.

Kemi qenë dhe mbesim zë i artikulimit të interesit të sektorit privat dhe i ushtrimit të presionit për veprim institucional në përkrahje të sektorit privat.

Sa ka ndikuar zgjatja e orarit të lëvizjes nga Qeveria e Kosovës së fundmi tek operatorët ekonomikë? Ç’keni parë?

Berat Rukiqi: Nuk është ndonjë ndikim substancial – është simbolik dhe në vlera të vogla të rritjes së qarkullimit.


Cili ka qenë ndikimi i pakove milionëshe të Qeverisë që bizneset ta rimarrin veten dhe a do të duhej që ato të ishin të shumfishta në një ekonomi si e Kosovës?

Berat Rukiqi: Pakot kanë qenë të mirëseardhura, kanë krijuar lehtësira por vonesa në implementim ka ndikuar negativisht tek ndikimi i tyre.


Nga informacionet që keni ju, a janë ekzekutuar të gjitha pagesat dhe a kanë arritur mjetet në adresë të duhur (tek punëtorët)?

Berat Rukiqi: Ka disa probleme, por pjesa më e madhe i kanë pranuar mjetet.

Cilët janë sektorët më të goditur në Kosovë si pasojë e COVID-19, na e thoni ju lutem cila është gjendja e sotme?

Berat Rukiqi: Hotelet, sallat e dasmave, baret, restoranet, pjesa e transportit të udhëtarëve dhe sektori i turizmit janë më të goditurat. Shumica e bizneseve në këto fushëveprimtari, janë në stadin e luftës për mbijetesë dhe mbijetesa e tyre varet nga veprimet institucionale në menaxhim të pandemisë, si në aspektin shëndetësor, ashtu edhe në atë ekonomik.

Në opinionin tuaj sa e kanë vështirësuar zhvillimet politike në vend (mbajtja e zgjedhjeve, rëniet e qeverive…) situatën ekonomike? Po të mos kishte këso lëvizje a vlerësoni se situata do të mund të ishtë më stabile?

Berat Rukiqi: Jostabiliteti politik po ka “efekt kancerogjen” në zhvillimin ekonomik. Asnjë investim serioz nuk ndodh në një vend, ku zgjedhjet organizohen çdo vit.

Në periudhën e rikuperimit neve na duhet stabilitet politik, me një qeverisje që në fokus e ka transformimin ekonomik, të bazuar në zhvillimin e sektorit privat.

Si i shihni premtimet elektorale që po bëhen tani, ku përmenden edhe fonde miliardëshe. A janë reale këto premtime?

Berat Rukiqi: Nuk dua t’i komentoj veç e veç, por në përgjithësi po e vërej edhe një cikël zgjedhor me premtime bajate dhe të cilat nuk e kanë brenda vetes një qasje zhvillimore.

Shumica e këtyre premtimeve synojnë një paqe sociale, me rritje artificiale të skemave sociale dhe të rolit të sektorit publik, por në asnjë rast nuk vërehet ndonjë element zhvillimor.

Çfarë duhet të bëjë shteti sot për ekonominë që të shihen rezultatet në fund të 2021-ës?

Berat Rukiqi: Rritje e investimeve publike, përkrahje direkte financiare për bizneset dhe lehtësira tatimore.