Nga 1 prilli i këtij viti qytetarët e Kosovës do të përballen edhe me një shtrenjtim tjetër.
Atë të energjisë elektrike.
Kjo pasi që tarifat e energjisë sipas vlerësimeve preliminare do të rriten për 14%.
Kështu, kanë bërë të ditur për Front Online nga Zyra e Rregullatorit për Energji. “Tarifat e reja hyjnë në fuqi me 01 prill 2023. Vlerësimet preliminarë te prezantuara në Raportet Konsultativë tregojnë një rritje rreth 14%”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së, për Front Online.
Ani, pse palët e interesit kanë afat vetëm deri nesër të dërgojnë komentet e tyre rreth kësaj çështjeje nga ZRRE-ja kanë thënë se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë koment. “Koha për pranimin e komenteve është deri me 3 mars 2023, deri me tani nuk kemi pranuar komente nga asnjë palë e interesit”, thuhet më tutje në përgjigje.
Tarifat që aktualisht janë në fuqi ishin miratuar më 8 shkurt të vitit të kaluar.
Me këto tarifa, shtrenjtim të faturave kanë pasur ata që shpenzojnë mbi 800 kilovat për orë brenda muajit.
Konsumatorët e tarifës mbi 800 kilovat për orë kanë tarifën e lartë prej 12.5 cent për kilovat dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.
Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj, tarifa e lartë është 7 centë, ndërsa ajo e ulët, 3 centë.