Rrugëtimi i veçantë i Danimarkës deri në gjysmëfinale të Evropianit

Në harkun kohor prej dy javësh, Danimarka ka përjetuar “emocione të një jete të tërë” në “Euro 2020” – dhe udhëtimi i danezëve në këtë turne po vazhdon. Të detyruar të përballen me shikimin e Christian Eriksenit që pësoi sulm kardiak në fushë dhe humbjen e dy ndeshjeve të para në Evropian, Danimarka e mori veten për ta mposhtur Rusinë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve për të avancuar tutje. Tani, ekipi thuhet se e ka kaluar valën e vështirë dhe e pret ndeshja gjysmëfinale më Anglinë, të mërkurën mbrëma në stadiumin “Wembley” në Londër.

“Të gjithë ishin të shokuar, të mpirë dhe pa shprehje”

Tifozi i Danimarkës, Jes Hogsberg Lund, ka qenë një mbajtës i biletave sezonale të skuadrës FC Kopengahen për shumë vite, dhe ishte në shtëpinë e tij për tri ndeshjet që danezët i luajtën në fazën e grupeve të Kampionatit Evropian. Kishte lumturi dhe eksitim të vërtetë përpara ndeshjes së parë në “Euro 2020” që do të organizohej në vend, duke pirë pije me miqtë para se të drejtoheshin drejt stadiumit, por shpejt gjithçka u kthye në dëshpërim. Lund ishte i vendosur në pjesën e poshtme të stadiumit që ishte më afër vendit ku Eriksen kolapsoi dhe pa mjekët që intervenuan për ta kthyer në jetë, me tifozët që “qanin dhe luteshin” për shërimin e tij. E gjithë kjo ngjarje ndodhi në ndeshjen hapëse të Danimarkës kundër Finlandës, të zhvilluar në “Parken Stadium” në Kopenhagë.

“Unë kam qenë në ‘Parken Stadium’ me qindra herë, por nuk e kam parë kurrë stadiumin aq të qetë. Të gjithë ishin të shokuar, të mpirë dhe pa shprehje. Nuk mbaj mend asgjë nga pjesa tjetër e lojës. Nuk kishte rëndësi, pasi ishte e parëndësishme”, kujton Lund. “Disa ditë më vonë lexova se Pierre-Emile Hojbjerg kishte humbur një penallti ndaj Finlandës dhe unë e harrova plotësisht atë. Ne pamë një burrë që vdiste në fushë dhe u rikthye në jetë”.

Pas një vonese prej dy orë e gjysmë, të dy grupet e lojtarëve u kthyen për të përfunduar ndeshjen, të cilën Danimarka e humbi 1:0, si dhe u mposht 2:1 nga Belgjika në duelin tjetër. Megjithatë, Danimarka e mposhti thellë Rusinë (4:1) në ndeshjen e fundit të grupit përpara se ta eliminonte Uellsin në 1/8 e finales dhe Çekinë në çerekfinale.

“Kjo barrë mbi shpatullat tona zgjati deri në pjesën e parë të ndeshjes me Belgjikën. Lojtarët luajtën një pjesë të parë të jashtëzakonshme dhe pastaj ndjenja e keqe u zhduk dhe ne mund të flisnim përsëri për futbollin. Ne e dinim që Erikseni ishte mirë, duke marrë frymë dhe duke u rikuperuar në spital”, thotë Lund. “Atmosfera në ndeshjet ndaj Belgjikës dhe Rusisë ishte magjike dhe ju mund të shihni se të gjithë ishin atje për të mbështetur ekipin. Tifozët shpërthyen kur Mikkel Damsgaardi shënoi golin e epërsisë dhe në arritëm ta avancojmë nga faza e grupeve. Turneu i ka sjellë të gjithë më afër – lojtarët, trajneri dhe tifozët janë në këtë udhëtim së bashku”.

“Nuk i frikësohen humbjes”

Për dallim prej Anglisë, Danimarka më parë e ka ngritur trofeun, në vitin 1992, kur e mposhti Gjermaninë në finale, dhe mbështetësit tani po ëndërrojnë që ekipi i tyre ta përsërisë atë sukses.

Danezët nuk u kualifikuan për atë turne dhe e patën një javë afat për të marrë një skuadër të përgatitur pasi Jugosllavia, në një gjendje lufte civile, nuk u lejua të merrte pjesë në Evropianin e vitit 1992.

“Që nga incidenti i Eriksenit, me duket se ekipi fillimisht pësoi rënie për t’u ngritur. Kemi përjetuar emocione të një jete midis dy javësh që kanë qenë të tmerrshme dhe tani prekëse në Danimarkë”, ka thënë gazetari danez Kresten Mosbaek Gravesen. “Ka qenë e mahnitshme për ne gazetarët që flasim me lojtarët, kemi yje që luajnë për klube të mëdha – kur flasim me ta mund të bisedojmë me ta dhe kjo përmbledh lidhjen midis ekipit dhe tifozëve. Ka flamuj në çdo dritare dhe ju nuk e keni parë këtë që nga viti 1992. Njerëzit thonë se ata janë bashkuar edhe më shumë tani”.

Ndërkohë, Lund shtoi: “Njerëzit nuk mund të ndihmojnë në krahasimin e Evropianit të vitit 1992 me këtë turne, pasi duket se është përralla e njëjtë. Mirëpo, ekipi aktual është dukshëm më i mirë se ai i vitit 1992 dhe të gjithë po ëndërrojmë për sukses”.

“Dashuria dhe dhembshuria i kanë dhënë ekipit krahë”

Kasper Hjulmand mori detyrën e përzgjedhësit të Danimarkës në korrik të vitit 2020, duke zëvendësuar Aga Hareiden, i cili ka meritat e tij për vendosjen e bazave të ekipit. Hjulmand është një figurë popullore dhe i respektuar mirë te Danimarka, për lidhjen e tij me tifozët, markën e futbollit që ai luan dhe mënyrën në të cilën ai e trajtoi incidentin e Eriksenit.

“Bashkimi i të gjithëve në Danimarkë është shumë i fortë. E gjithë kjo ndodhi pas ngjarjes së Eriksenit, ku të gjithë ishin të prekshëm dhe pamë që jeta mund të mbyllet kaq shpejt”, thotë Hjulmand.

Erikseni u shtrua në spital pasi kopalsoi në fushë kundër Finlandës, por u lirua vetëm gjashtë ditë më vonë pasi i ishte vendosur një pajisje në zemër. Ai e vizitoi ekipin para se të kthehej në shtëpi me familjen e tij.

“Ne po e mbajmë Eriksenin me vete në këtë udhëtim. Ai është me ne, ai është me mua dhe çdo ditë mendoj për të. Ai është zemra e kësaj skuadre dhe ne e mbajmë me vete vazhdimisht. Unë vërtet nuk besoj në përralla, por besoj në karakterin e kësaj skuadre, dhe mund të them se dashuria dhe dhembshuria e të gjithë popullit danez i ka dhënë krahëve këtij ekipi”, shtoi Hjulmand. “Ne po luajmë me zemrën e Christianit, zemrën e të gjithë popullit dhe të gjithë Danimarkës. Ne besojmë fuqishëm në veten tonë”.

“Tani jemi një njësi edhe më e fortë”

Mbrojtësi i skuadrës së Southamptonit, Jannik Vestergaard do të paraqitet kundër disa kundërshtarëve të njohur nga Premier League kur Danimarka do të përballet të mërkurën mbrëma me Anglinë. Vestergaard tha se shpreson që kurrë mos ta përjetojë një situatë të tillë sikurse në “Euro 2020”, ku Danimarka u përballë me ulje dhe ngritje pas gjithë asaj që i ndodhi në fillim të turneut.

“Shpresoj që jo. Shpresoj se kjo është një përvojë që ndodhë vetëm një herë në jetë. Ka qenë diçka që nuk ishte e parashikueshme dhe ne jemi afruar së bashku si një grup, një njësi dhe një familje e vogël. Ne kemi ndarë ndjenjat dhe emocionet tona. Ne jemi një njësi edhe më e fortë tani sesa ishim para turneut”, është shprehur Vestergaard.

Ai thotë se është i bindur se Danimarka do të mund ta përballë Anglinë, e cila ende nuk ka pranuar asnjë gol në “Euro 2020”. Ndërkohë, tifozi Lund është optimist edhe më i madh sesa Vestergaardi, pasi beson në kualifikimin e Danimarkës në finale të Kampionatit Evropian.

“Jo vetëm unë, por të gjithë danezët besojnë në kualifikimin e ekipit në finale”, tha Lund.