Një person ka vdekur dhe një tjetër ka mbetur i lënduar si pasojë e goditjes nga rrufeja deri sa ishin duke punuar në fshatin Zatriq të komunës së Rahovecit.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
“Me datë 06.06.2022 në ora 15:55, përmes thirrjes emergjente 112, Stacioni Policor-Rahovec është njoftuar se në fsh. Zatriq-Rahovec si pasojë e kushteve atmosferike dy persona (shtetas turk), derisa kishin qenë duke punuar, dyshohet të jenë goditur nga rrufeja. Patrullat policore së bashku me autoambulancë kanë dal në vendin e ngjarjes”.
“Njëri nga viktimat (lindur në vitin 1988) është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren, atje mjeku kujdestar ka konstatuar vdekja e tij. Ndërsa viktima tjetër (lindur në vitin 1994) fillimisht është dërguar në QKMF në Malishevë dhe pastaj në QKUK-Prishtine”, ka thënë Elezaj.
Ai ka treguar se për ngjarjen është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit.
“Sipas mjekut kujtestar në QKUK gjendja e viktimës në fjalë është jashtë rrezikut për jetë. Në vend-ngjarje kanë dalë njësitet relevante të policisë si dhe është njoftuar Prokurori i Shtetit, sipas të cilit është inicuar rast ‘Hetim i vdekjes’” – theksoi ai.