Gjashtë fëmijë kanë përfunduar të mërkurën në spital pas rrjedhjes së gazit në shkollën private nëntëvjeçare “Qatar Collage” në Tiranë.
Nxënësve u është manifestuar mundimi në formë helmimi nga gazi, të cilët kanë treguar se kanë patur kollë dhe dhimbje koke, por nuk janë në rrezik për jetën.
Aktualisht tre nxënës po marrin trajtim tek urgjenca pediatrike dhe tre të tjerë po marrin trajtim në urgjencën mjekësore te Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Sipas njoftimeve paraprake, një bombol gazi që përdorej për ngrohjen e ujit, të sistemit të ngrohjes në shkollë, ka shpërthyer por nuk ka pasur ndezje zjarri.
Nxënësit dhe stafi janë evakuuar nga ambientet e shkollës, ndërsa në vendngjarje ndodhen shërbimet e policisë dhe urgjencave spitalore.