Çmimi i derivateve të naftës në tregun e Kosovës ka shënuar sërish rritje, por kjo rritje po shihet si e lehtë nga përfaqësues të naftëtarëve të Kosovës.
Në një pikë të derivateve në Prishtinë është parë se çmimi i naftës ka arritur në 1.71 euro.
Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, i ka thënë KOHËS se kjo rritje është shënuar për një apo dy centë.
“Nuk ka rritje të çmimit të naftës, është një rritje e lehtë e çmimit të naftës që sot Dieseli është 1.68 euro ndërsa benzina 1.70. Është rritje krejt e lehtë sepse është rritur vetëm 1 apo 2 centë dhe nuk ka nevojë të bëhet panik”, ka thënë ai.
Berjani ka thënë se nuk mund të parashikohet se në çfarë shifrash mund të arrijnë çmimet, pasi ato lëvizin katër deri në pesë herë brenda ditës, sikurse në Berzën Ndërkombëtare.
“Përfundimi i luftës në Ukrainë është stabilizim i tregut të naftës, jo vetëm te ne në Kosovë. Nuk ka ngritje të çmimeve, është një rritje e lehtë. S’ka rritje ekstreme ashtu siç po përmendet”, ka thënë Berjani.
Sipas tij, ndryshe nga vendet tjera të rajonit, në Kosovë ka laramani të çmimeve varësisht prej ofertës dhe kërkesës, gjë që i jep mundësi qytetarit të zgjedhë se ku dëshiron të furnizohet më karburante me çmim më të lirë.
Para disa ditësh, çmimet e derivateve për naftë kanë qenë rreth 1.65 euro, ndërsa për benzinë 1.66 euro.
Çmimet e naftës kanë arritur nivele të reja pasi liderët e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për ndalimin e importit të naftës ruse gjatë mbrëmjes të së hënës.
Një rritje prej 10 lekësh është parë të ketë ndodhur nga 1 qershori në Shqipëri.