Rritet paga minimale në Shqipëri, Rama: Barazojmë Maqedoninë e Veriut dhe lëmë pas Kosovën dhe Bosnjën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar sot të dhëna për pagën minimale në vend dhe krahasimi me rajonin.  

Në një postim në Facebook, Rama ka thënë se Shqipëria e ka nisur nga vendi i fundit në rajon për nivelin e pagës minimale, ndërsa me rritjen e fundit të pagën në 40,000 lekë [346 euro] që futet në fuqi nga fillimi i Prillit, ai ngjitet në vendin e tretë duke barazuar Maqedoninë e Veriut dhe duke lënë pas Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën.

“Do të bëjmë edhe dy rritje të tjera për ta mbyllur këtë mandat me pagë minimale 45 mijë lek, nga 38 mijë që ishte objektivi ynë elektoral, por që s’merrte parasysh inflacionin e luftës së Putinit për të gjunjëzuar ekonomikisht mbarë Evropën!”, shkruan Rama në Facebook, partia e të cilit po përgatitet të hyjë në zgjedhjet lokale më 14 maj.

“Ndërkohë kjo rritje përtej parashikimeve e pagës minimale imponon edhe rritjen e pagës mesatare për të riekuilibruar piramidën e pagave, çka do të bëhet njëkohësisht në muajin prill”, shton Rama.

“Disa komentojnë se paga minimale duhet të bëhet 70 apo 80 mijë lekë, por përllogaritja e pagës minimale bazohet në produktivitetin ekonomik dhe konkurueshmërinë, jo në dëshirat tona (asnjë vend i rajonit nuk e ka një minimum të tillë). Çdo rritje artificiale e saj sjell me shpejtësi pasoja destabilizuese për ekonominë, punësimin, financat e vendit”, sqaroi kryeministri.