Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se është rritur niveli i manganit në ujin e Ujësjellësit Rajonal KRU “Prishtina” që vjen nga Liqeni i Badovcit, kësisoj ka rekomanduar që uji të mos përdoret për pije, por vetëm për higjienë personale dhe ambientale.
IKSHPK thotë se vlerat e manganit në ujë kanë tendencë për rritje të vazhdueshme, prandaj rekomandon të mos konsumohet për pije, transmeton Telegrafi.
“Të dhënat e analizave të bërë dhe krahasimi i tyre me të dhënat e ditëve paraprake si dhe përvoja nga situata e vitit 2023, na tregojnë se gjatë kohëzgjatjes së këtij fenomeni, vlerat e manganit kanë tendencë të rritjes së vazhdueshme ditë pas dite, andaj IKSHPK për këtë periudhë rekomandon që uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale”, thuhet në njoftim.
Tutje, IKSHPK thotë se bazuar në të dhënat e deritashme, paraqitja e “fenomenit” te Manganit në Liqenin e Badovcit është dukuri e vazhdueshme, e cila ndodh kryesisht në kohën e ndërrimit të stinëve.
“Kjo dukuri në vitin e kaluar ishte shqetësuese, sepse përveç vlerave të shtuara të Manganit 2 valent, u shoqërua edhe me kohëzgjatje të këtij fenomeni”.
“Edhe pse Mangani konsiderohet një lëndë ushqyese thelbësore dhe kontribuon në shumë funksione trupore, duke përfshirë metabolizmin e aminoacideve, kolesterolit, glukozës dhe karbohidrateve, në formimin e kockave, mpiksjen e gjakut dhe reduktimin e inflamacionit, vlerat mbi 50 µg/L në ujin e pijshëm sillet si ndotës dhe ka ndikim të dëmshëm në shëndet, e posaçërisht tek fëmijët deri në 5 vjeç”, thuhet në njoftim
Duke pasur parasysh rezultatet e lartpërmendura, IKSHPK ka rekomanduar ndërkaq KRU “Prishtina” që:
• Të kontrollohet procesi i dezinfektimit në mënyrë që vlera e Cl rezidual të jetë 0.1-0.2mg/L, e cila garanton cilësinë e ujit në aspektin bakteriologjik dhe në të njëjtën kohë ndihmon në proceset oksido-reduktive;
• Të përcjellët ndotja organike (TOC) në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës;
• Zbatimi i procedurave standarde për situatën e krijuar në të gjitha fazat e trajtimit të ujit;
• Shpëlarja e rrjetit shpërndarës – gypave magjistral;
• Shpëlarja e rrjetit shpërndarës – segmenteve të vogla;
• Të sigurohet ujë higjienik për pije për qytetarët.
IKSHPK njofton se deri me datën 02.10.2024 në rezultatet e mostrave të marra sipas planit të Monitorimit për ujin e pijshëm, nuk ka pasur mostra që kanë rezultuar me vlera të shtuara të manganit mbi standardin e paraparë (0.05 mg/L) sipas Udhëzimit Administrativ Nr: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”.