Rritet çmimi i naftës, vendimi për kufizim të fitimit të naftëtarëve “shkon huq”


Ani se ka tri ditë që ka hyrë në fuqi vendimi për caktimin e marzhës së fitimit për naftëtarët, ai nuk e ka ulur çmimin e derivateve në treg. Madje gjatë së enjtes, çmimi për një litër naftë në disa pika të karburantit është rritur për 2 centë.

Aktualisht çmimi i një litri naftë në disa pika karburanti është 1.45 euro.

E pikërisht në javën kur ka hyrë në fuqi vendimi për kufizim të fitimit për naftëtarët, sipas Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë është shënuar rritje e çmimit të furnizimit.

“Bazuar në të dhënat e pranuara nga Dogana e Kosovës, edhe çmimi i furnizimit të produkteve të naftës gjatë kësaj jave ka shënuar një rritje të konsiderueshme, por kjo në asnjë mënyrë nuk justifikon rritje joproporcionale të çmimeve në tregun e brendshëm”.

Nga ky dikaster qeveritar kanë thënë për KOHËN se gjatë këtyre ditëve inspektorët e tregut bashkë me ata të ATK-së kanë bërë vizita te subjektet që merren me shitjen e produkteve të naftës për të vërtetuar nëse marzha maksimale e lejuar është duke u tejkaluar.

Por nga Ministria nuk kanë treguar nëse janë konstatuar tejkalime të tilla.

“Kalkulimi i marzhës tregtare kryhet nga inspektorët e ATK-së, ndërsa procedurat e mëtejme udhëhiqen nga inspektorët e tregut, prandaj varësisht nga gjetjet që bëjnë inspektorët e ATK-së ndaj të gjithë operatorëve ekonomikë, që evidentohen se nuk kanë respektuar marzhën tregtare të lejuar me çmimin e lartcekur, do të ndërmerren veprime të menjëhershme ligjore”, tha ministria.

Vendimi për marzhën ishte kundërshtuar nga naftëtarët, të cilët kanë bërë ankesë në Ministri, duke konsideruar atë me efekte shkatërruese për kompanitë.

Por më pas nuk ka pasur asnjë kundërshtim tjetër nga ana e tyre.

Sipas të dhënave në Organizatën OPEC, çmimi i naftës për një barel është rritur vetëm për 0.6 dollarë.

Aktualisht një barel ose 159 litra naftë, kushtojnë 86.66 dollarë.