Çmimet e materialeve ndërtimore, krahas çmimeve të konsumit, kanë shënuar ngritje të konsiderueshme.
E këto ngritje janë shfaqur sidomos pas fillimit të luftës në Ukrainë. E këtë e thonë shitësit e materialeve ndërtimore. Madje ata tregojnë se shtrenjtimi i materialeve ndërtimore, ka ndikuar edhe në shitjen e tyre.
“Është e vërtetë që ka ngritje të çmimeve, kryesisht 40-50 përqind nëse krahasohet me vitet paraprake. Kjo ka ndodhur si pasojë e luftës në Ukrainë. Kryesisht hekuri, blloqet, çimentot që të gjitha janë ngritur 40 deri 50 përqind. Ne, kryesisht punojmë me ndërtime të ulëta dhe tani nuk ka interesim nëse bëjmë krahasimin me vitet paraprake”, ka theksuar për RTK-në, Fitim Sopjani, shitës i materialeve ndërtimore.
Sipas kryetarit të shoqatës së ndërtuesve, çmimet e materialeve ndërtimore përcaktohen në bursa, prandaj nuk mund të ndikojnë.
“Nuk është hera e parë që ka ngritje të çmimeve të materialit ndërtimor sepse edhe para 12 vjetëve i kemi pasur të njëjta çmime të hekurit dhe cimentos. Mirëpo, ndërtimi nuk është ndalur dhe po vazhdon, por normalisht ka ngritje të çmimit të banesave sepse në bazë të një analize del që kostoja e ndërtimit është rritur deri 35 përqind, derisa çmimet e banesave janë rritur diku 20 përqind në raport me vitin e kaluar”, është shprehur Faton Hoxha, kryetar i Shoqatës së ndërtuesve.
Duke marrë si bazë kryeqytetin, në drejtorinë e urbanizmit për tre mujorin e parë të këtij viti janë bërë më shumë kërkesa për leje ndërtimi krahasuar me vitin paraprak të së njëjtës periudhë. Ngritjes së çmimeve i janë bashkuar edhe ato të ndërtimit, hekuri është dyfishuar.