Kompania nga Kosova “Rreze Company“, e cila funksionon që nga vitit 1989 në komunën e Skenderajt, ka arritur që për herë të parë Styroporin e prodhuar në Marinë të Komunës së Skenderajt ta eksportojë në Suedi.
Drejtuesit e kompanisë janë shprehur të lumtur me marrëveshjen e arritur për eksport dhe sipas tyre eksporti i Styroporit në tregun suedez tregon se prodhimet e tyre janë cilësore dhe konkurruese me prodhimet e vendeve më të mëdha se sa Kosova.
Përfaqësuesi i kompanisë “Rreze Company”, Zymer Delijaj ka thënë se finalizimi i eksportit të produkteve të tyre tregon se produktet të cilat prodhohen në Kosovë kanë cilësi dhe mund të jenë prezent dhe konkurruese me produktet e shteteve perëndimore.
“Finalizimi i marrëveshjes për eksport të Styroporit në shtetin e Suedisë është një sukses për kompaninë tonë ku si rezultat i kësaj marrëveshje prodhimet tona të Styroporit do të jenë prezentë në tregun suedez. Fillimisht në qytetet e pjesës jugore të këtij shteti, ku dërgesa e parë është bërë në sasi prej 210m3. Marrëveshja është për dërgesa të vazhdueshme në varësi prej kërkesës. Ne shpresojmë që shumë shpejt do të arrijmë marrëveshje të reja që produktet tona të depërtoj edhe në të gjithë tregun e Suedisë”, tha ai.
Delijaj thekson se me këtë eksport janë krenarë pasi që cilësia e prodhimit të tyre është e një niveli të lartë dhe të pranueshëm për tregun atje.
“Ne jemi të përkushtuar që përmes produkteve cilësore të arrijmë të rrisim eksportin e prodhimeve vendore dhe të zvogëlojmë ‘eksportin’ e fuqisë punëtore dhe kuadrove profesionale në vendet perëndimore”, ka thënë Zymer Delijaj nga “Rreze Company”.
Ndryshe, “Rreze Company”, e cila funksionon në Marinë të Skenderajt, të gjitha produktet i prodhon nga energjia e ripërtëritshme që përfitohet nga panelet solare.
Historiku i “Rreze Company”
“Rreze Company” është kompani e themeluar në vitin 1989 në Skenderaj.
Operon me disa veprimtari në sektor të ndryshëm ekonomik si: tregtinë e materialeve ndërtimore, prodhim të materialeve termoizoluese, tregti me derivate të naftës, shërbime të transportit dhe shërbime të projektimit.
Në kuadër të “Rreze Company” sh.p.k. operojnë njësitë:
Rreze Commerce – Me disa pika të shitjes së materialeve ndërtimore.
Rreze Petrol – Pika të shitjes së derivateve të naftës
Rreze Therm – Fabrika për prodhimin e materialeve termoizoluese (EPS – Styropor)
ZeD architects – Studio e arkitekturës (shërbime të Projektimit, konsulencës, dizajnit urban)
Kompania është e orientuar që të zhvillohet në drejtim të një sipërmarrje të dashur për ambientin dhe me zero emetim të gazrave të dëmshme në natyrë. Përveç që prodhon dhe shpërndan rreth 500000 m2 materiale termoizoluese (EPS) në gjithë territorin e Kosovës dhe jashtë saj duke ndihmuar në izolimin e shtëpive, uljen e shpenzimeve të energjisë elektrike dhe reduktimin e emetimit të gazrave të dëmshme në natyrë, ajo në vitin 2020 ka investuar që edhe këto produkte t’i prodhojmë përmes energjisë së ripërtritshme duke instaluar një plantacion prej 75.43 kWp të paneleve solare.