Rreth 67 mijë kërkesa janë pranuar nga Bankat komerciale për shtyrjen e pagesave të kësteve të kredive, pas situatës së krijuar nga pandemia me COVID–19 në Kosovë. Bazuar në kërkesat e klientëve, shtyrja e pagesave të kësteve deri me 30 prill, kapte vlerën e 1.6 miliard eurove.
Banka Qendrore e Kosovës (BQK), bënë të ditur se numri i përgjithshëm prej 66,818 kërkesave, bankat kanë aprovuar 99 për qind të kërkesave të bizneseve për shtyrje të pagesave të kredive dhe 86 për qind për personat fizik.
Sipas zëdhënësit të BQK-së, Kushtrim Ahmeti, shuma e përgjithshme e kërkesave të aprovuara kap vlerën e 1.5 miliard eurove.
“Deri më 30 prill 2020, shuma e tërësishme e kredive për të cilat është kërkuar shtyrje të kësteve të tyre është 1.6 miliard euro, apo 51.7 për qind e gjithsej portofolit kreditor. Janë gjithsej 66,818 kërkesa për shtyrje të kredive, apo 14.4 për qind e gjithsej numrit të kredive”, ka thënë Ahmeti për Insajderin.
Përkundër që qytetarë të shumtë janë ankuar se disa nga bankat nuk i kanë shtyrë pagesat e kredive, zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, thotë se këtë institucion nuk kanë pranuar asnjë të tillë.
“Në Divizionin e Ankesave të Shfrytëzuesve të Shërbimeve Financiare në BQK, nuk është dorëzuar asnjë ankesë e kësaj natyre. Nuk ka pasur ankesa nga bankat, përkundrazi kjo është mirëpritur si masë që adreson sfidat si pasojë e Covid-19”, tha ai.
Por për të gjitha rastet e mundshme sipas Ahmetit, do të bëhet hetim, dhe varësisht nga rezultatet e ekzaminimeve, do të ndërmarr masat ndëshkuese.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka informuar bankat lidhur me vendimin e përbashkët të BQK-së dhe SHBK-së. Zbatimi i këtij vendimi të përbashkët do të jetë subjekt i ekzaminimit të BQK-së pas kalimit të situatës në të cilën ndodhemi dhe varësisht nga rezultatet e ekzaminimeve, do të ndërmarr masat administrative/ndëshkuese, të parapara me legjislacionin në fuqi”, ka thënë ai.
Zëdhënësi i BQK-se Kushtrim Ahmeti ka theksuar se në momentin kur lirohen masat kufizueses dhe fillojnë punën të gjitha veprimtaritë ekonomike, përfundon edhe masa emergjente e vendosur gjatë muajve të kaluar.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është treguar proaktive në ndërmarrjen e masave për t’u ndihmuar huamarrësve përballimin e vështirësive financiare të cilat i ka shkaktuar kriza pandemike, duke u mundësuar atyre shtyrjen e pagesave të kësteve të kredisë dhe ruajtjes së likuiditetit të tyre përgjatë periudhës së ndërprerjes së aktivitetit të shumë veprimtarive ekonomike. Në momentin kur lirohen masat kufizueses dhe fillojnë punën të gjitha veprimtaritë ekonomike konsiderojmë se përfundon edhe masa emergjente e vendosur gjatë muajve të kaluar. Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë së monitoruari me shumë kujdes zhvillimet ekonomike dhe ato në sektorin financiar në mënyrë që të japim kontributin tonë të mëtejmë në rimëkëmbjen e ekonomisë, por gjithmonë duke vendosur në plan të parë ruajtjen e stabilitetit financiar që është edhe detyra primare e BQK-së”, thuhet në përgjigjen e Ahmetit.
Të hënën me 1 qershor kur edhe nisi faza e tretë e lehtësimit të masave kundër Covid-19, Banka Qendrore sqaroi se nuk është marrë asnjë vendim i ri për shtyrje të serishme të afatit të pagesës së kësteve të kredive.
“Edhe njëherë sqarojmë se në fuqi mbetet vendimi që afati i shtyrjes së pagesës së kësteve të kredive të jetë 3 muaj, nga data 16 mars deri me 16 qershor 2020 për kredimarrësit, të cilët kanë hasur vështirësi financiare, si rezultat i rënies së të hyrave personale apo biznesore për shkak të COVID-19”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Kujtojmë që Banka Qendrore e Kosovës (BQK), së bashku me Shoqatën e Bankave, patën marrë vendim që bizneset dhe individët, të cilët kanë pasur rënie të të hyrave për shkak të sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi t’iu mundësohet pezullimi i pagesave të kësteve të kredisë, nga data 16 mars për një periudhë 3-mujore.