Janë bërë rreth 10 ditë qëkur Gazmend Xhema po tenton të kthehet nga Kroacia në Kosovë.
Ai jeton atje, por tregon se familjen e ka në Kosovë, prandaj ka bërë kërkesë në Ambasadë, ashtu siç ka udhëzuar MPJ-ja që t’i mundësohet kthimi, por thotë se nuk po u ofrohet zgjidhje.
Xhema është i gatshëm t’i respektojë rregullat e kërkuara nga Qeveria, e të futet në karantinë për 14 ditë, vetëm që të kthehet te familja e tij, raporton KOHA.
Por, Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka bërë të ditur se janë rreth 600 shtetas të Kosovës që janë lajmëruar në ambasadë me kërkesën që të kthehen në Kosovë.
Por, sipas kësaj ministrie, pas kontakteve me Qeverinë kroate është arritur pëlqimi që shtetasit e Kosovës të vazhdojnë të qëndrojnë në Kroaci.
MPJD-ja nuk ka dhënë ndonjë afat se kur ata mund të kthehen, sepse thonë se Qeveria kroate aktualisht nuk lejon grumbullimin e njerëzve dhe nuk lejon qarkullimin as brenda shtetit.
Në një përgjigje për KOHËN, shtohet se ambasada në Zagreb u ka bërë thirrje furrtarëve që punojnë atje që t’u japin bukë falas shtetasve të Kosovës, pasi që ekziston rreziku të shndërrohen në raste sociale.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb u ka bërë thirrje bizneseve shqiptare në Kroaci, në veçanti furrtarëve, që t’ju ndihmojnë shtetasve kosovarë, t’ju japin bukë falas, pasi si pasojë e situatës së krijuar në Kroaci dhe në të gjithë botën, disa shtetas, përfshirë edhe shtetasit tanë, mund të shndërrohen në raste sociale. Pavarësisht vështirësive, Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po punojnë për kthim të organizuar të rasteve emergjente nga shteti kroat, mirëpo duhet pasur parasysh se ky organizim nuk varet vetëm nga pala kosovare. Qeveria kroate aktualisht nuk lejon grumbullimin e njerëzve në grup dhe nuk lejon qarkullimin nga komuna në komunë. Pastaj, në këtë rast, varet edhe nga shteti nëpër të cilin shtetasit tanë do të kalonin transit, Mali i Zi. Dhe, gjithsesi, kjo nuk do të thotë se do të ndalen përpjekjet për kthim të organizuar edhe nga Kroacia”.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, gjithashtu, ka bërë të ditur se përmes kontakteve me qeveri të vendeve pritëse, janë arritur marrëveshje mirëkuptimi për zgjatjen e qëndrimit të tyre për të evituar largimin e detyruar.
Megjithëkëtë, shtohet se pasi shtetasit e Kosovës kanë mësuar se pas hyrjes në Kosovë do të futen në karantinë, interesimi për t’u kthyer ka rënë.