Rreth 300 mijë udhëtarë kaluan në Aeroportin e Prishtinës gjatë korrikut

Që nga data 1 e deri më 24 korrik në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë realizuar 2004 fluturime.

Rreth 300 mijë udhëtarë kanë kaluar vetëm në muajin korrik në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara.

“Nga 1 korriku deri më 24 korrik përafërsisht në ardhje janë 178,558 udhëtarë, ndërsa në nisje janë 111,423 udhëtarë”, tha ajo.

Gjithashtu, ajo bëri të ditur se nga janari e deri në qershor të këtij viti, numri total i udhëtarëve ka qenë mbi 1.5 milion udhëtarë.

Ndryshe, numër i madh i bashkatdhetarëve kanë arritur në Kosovë edhe përmes transportit tokësor.

Vendkalimet kufitare Dheu i Bardhë dhe Merdare po vazhdojnë të jenë të ngarkuara me kolona të gjata, ku qytetarët po detyrohen të presin deri në pesë orë për të hyrë në territorin e Kosovës.

Të dhënat e fundit e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar bëjnë të ditur se kolona deri në 400 metra ka në pikën kufitare Dheu i Bardhë.