Rritja e numrit të rasteve me koronavirus ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të personave që po kërkojnë trajtim klinik për shkak të komplikimeve shëndetësore që po u sjell sëmundja.
Rrjedhimisht edhe kapacitetet e institucioneve shëndetësore për të pranuar pacientë të sëmurë me COVID-19 po kufizohen. Drejtori i IKSHPK-së ka thënë se mosrespektimi i masave parandaluese po çon drejt fundit të kapaciteteve spitalore.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës për të drejtat e pacientëve, Besim Kodra, ka theksuar se rritja e numrit të rasteve me COVID-19 po i çon kapacitetet spitalore drejt limitit.
Por në SHSKUK nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me çështjen e trajnimit të stafit shëndetësor për trajtim të rasteve me COVID-19. Derisa shtuan se aktualisht janë 700 shtretër për trajtim të rasteve të dyshuara dhe konfirmuara. Sipas SHSKUK-së, Komiteti për menaxhim të situatës me COVID-19, në baza ditore analizon gjendjen dhe varësisht nga nevojat do të marrë vendim për zgjerim të kapaciteteve.
“Në tërë SHSKUK-në, janë në dispozicion 4000 shtretër, 2000 në QKUK dhe 2000 të tjerë në spitalet e përgjithshme”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, tha se së shpejti do të merret vendim për shtim të hapësirave.
Në hapësirat e SHSKUK-së, ku janë duke u trajtuar pacientët me COVID-19, janë të hospitalizuar 589 pacientë.