Rreth 120 persona me kancer në Kosovë, u infektuan me COVID-19

Në Kosovë, rreth 120 pacientë të cilët vuajnë nga kanceri, janë prekur edhe me COVID-19, sëmundje që e shkakton koronavirusi. Megjithëkëtë, asnjë rast nuk ka përfunduar me vdekje.

Adelina (emri i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë) është njëra nga ta, e cila, krahas kancerit në gji që e ka diagnostikuar në muajin janar të këtij viti, në muajin korrik është infektuar edhe me koronavirus.

Ajo e ka vazhduar trajtimin me kimioterapi, derisa e ka kaluar edhe koronavirusin.

“Unë jam operuar nga kanceri në gji, meqë u diagnostikova me këtë sëmundje. Kam filluar kimioterapinë, e që kam pasur pak vështirësi, normalisht. Por, në muajin korrik, filluan disa simptoma, e që unë mendoja se janë prej kimioterapisë. Por jo, dola COVID pozitiv”, rrëfen Adelina për REL.

“Pas konsultave me doktorin tim që më trajtonte për sëmundjen malinje, ai më tregoi se çka të përdor dhe ma ka përcjellë gjendjen. Në përgjithësi kam qenë mirë, por shumë e lodhur. Kam pushuar shumë dhe kështu e kam kaluar pa ndonjë telashe, duke e vazhduar edhe terapinë për kancerin”, thotë ajo.

Mikkael Sekeres, mjek specialist për leukeminë akute në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se personat e prekur me kancer nuk janë në rrezik më të madh nga kapja e virusit, por janë në rrezik më të madh për t’u sëmurë rëndë nëse e marrin virusin.

Ai ka veçuar sidomos pacientët që e kanë sistemin imunitar të prekur nga kanceri ose nga trajtimi i kancerit – për shembull, pacientët me leukemi ose pacientët me kancer në mushkëri, frymëmarrja e të cilëve mund të jetë e rënduar.

Në Kosovë, të hospitalizuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare kanë qenë vetëm pesë persona, të cilët kanë pasur sëmundje malinje dhe që kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

Të tjerët, sëmundjen COVID-19 e kanë kaluar me terapi mbështetëse, krahas terapisë për sëmundjen e kancerit, me të cilën kanë qenë duke u trajtuar.

Infektologu Sali Ahmeti bëri të ditur se pacientët që kanë pasur sëmundje malinje, njëkohësisht janë trajtuar edhe për kancer, edhe për COVID-19.

“Sa u përket rasteve kancerogjene, të hospitalizuara kanë qenë gjithsej pesë raste me forma të rënda kancerogjene, si me prekje të mushkërive, leukemi, por që e kanë kaluar sëmundjen pa pasoja. Sa i përket COVID-19, kanë arritur shërim të plotë pas një ecurie të zakonshme të sëmundjes. Ne kemi përdorur protokoll të njëjtë me të sëmurët e tjerë. Por, këta persona janë me imunitet më të ulët, e që kemi pasur terapi mbështetëse pak më të forcuar, e cila ndikon në rritjen e imunitetit të tyre”, tha Ahmeti.

Në Institutin Onkologjik të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti janë diagnostikuar 810 raste të reja me kancer.

Ilir Kurtishi, drejtori i këtij Instituti, tha se ka rënie të numrit të të prekurve me sëmundje malinje, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ai shtoi se në bazë të të dhënave, janë 15 për qind më pak të prekur gjatë këtij viti.

Ndërkohë, nga muaji mars, kur u paraqitën rastet e para me koronavirus në Kosovë, e deri në muajin maj, kanë qenë vetëm dy persona, të cilët vuanin nga kanceri, të prekur me COVID-19. Më pas, siç tha Kurtishi, ka filluar të rritet numri i të infektuarve, e që totali tashmë ka arritur në rreth 120.

“Të gjithë janë mirë me shëndet dhe asnjë nuk ka përfunduar me fatalitet. Të gjithë kanë vazhduar trajtimin e tyre për sëmundjen e kancerit pa ndonjë problem. Ndërkaq, sa u përket sëmundjeve malinje në Kosovë, kanceri i gjirit prin te femrat, derisa kanceri i mushkërive te meshkujt. Incidenca e vdekjeve nga sëmundjet e kancerit është rreth 10 për qind”, tha Kurtishi.

Në Kosovë, numri i përgjithshëm i të prekurve me koronavirus ka arritur në 14,566.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njoftoi të shtunën se brenda 24 orëve të kaluara kanë vdekur tre pacientë me koronavirus, ndërsa janë konfirmuar 70 raste të reja pozitive.