Rrëfimi i rrallë i Majlinda Kelmendit: Doktorët më thanë që nëse s’e ndali xhudon do të paralizohem

“Vajza e Artë” e Kosovës, Majlinda Kelmendi, ka dhënë një intervistë për mediumin “Abc News” në Shqipëri.

Ajo ka treguar shumë detaje nga jeta e saj private si dhe nga karriera e saj si xhudiste.

Mediumi shqiptar shkoi brenda shtëpisë së Kelmendit. Ajo i priti me kafe.

Karrierën si trajnere, Majlinda e filloi para një viti kur u pensionua nga xhudo.

Ajo rrëfeu për vështirësitë që kishte pas tërheqjes së xhudos.

“Unë jam 31 vjeçe dhe sot për sot është kogja herët me ndërpre karrierën por kam qenë e detyruar. Doktorët me kanë thanë që nëse nuk e ndali sportin e xhudos kam me u paralizu. Dy vitet e fundit kanë qenë të vështira. Fillova me pas atak paniku. U çojsha natën dhe thjeshtë se kam ditë çfarë po ndodh”, tha Kelmendi.

Kelmendi tha se babai i saj është gëzuar pas pensionimit.

“Babai është gëzu pasi thotë se tash do të kalojmë kohë më shumë bashkë. Të gjithë janë qetësuar pasi e kam lënë karrierën”, potencoi Majlinda.

Ish-fituesja e medaljes se artë në Lojërat Olimpike Majlinda Kelmendi ka rrëfyer edhe kur i ishte kërkuar që ta përfaqësonte tjetër shtet, në këmbim të miliona eurove.

“Miliona në Kosovë nuk kam, por mjafton respekti dhe reputacioni që kam”, tha ajo.