Një ish-pjesëtari i ushtrisë jugosllave ka shpalosur detaje nga krimet serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ai sonte ekskluzivisht për emisionin DebatPlus në RTV Dukagjini ka treguar se si serbët fshehën gjurmët e vrasjes të popullsisë së pafajshme shqiptare.
Ish-ushtari ka bërë të ditur se nuk bëhej fjalë për njësi paramilitare, por thotë se ishin njësite të mbrojtjes territoriale të përbëra nga serbët e Kosovës, të cilët çdo gjë kanë bartur për në Serbi, madje edhe muret.
Ai tregon momente kur personalisht ka parë se si zhvarroseshin kufomat e shqiptarëve në një varrezë masive mes Izbicës e Kllodernicës.
“Një pjesë e kufomave kanë përfunduar në Smederevë, në shkritore. Ashtu siç i kanë shkrirë tanket dhe pajisjet luftarake janë shkrirë edhe kufomat”, deklaori ai.
“Në maj duke parë televizorin mësuam për një varrezë masive mes Izbicës dhe Kllodernicës. Nga komanda u urdhëruam të shkojmë dhe ta gjejmë atë vend. Kur arritëm në atë lokacion takuam një grup civilësh që nuk ishin ushtarë. Shumica ishin romë. Ishte një traktor që i nxirrte kufomat, të cilat i ngarkonin në një kamion të madh ushtarak. Ne kemi arritur në ditën e tretë kur edhe përfundonte zhvarrosja dhe rrafshohej në tërësi terreni. I pyetëm se çfarë po bëjnë. Na thënë që po i lëvizin kufomat drejt Mitrovicës. Nuk qëndruam më shumë se 10 minuta në atë vend”, ka thënë ai.
“Ne nuk kemi pasur aparate fotografike. Mund të flasim vetëm nga shënimet zyrtare që i kemi marrë”, ka thënë ai.Ai thotë se në një terren ku kanë operuar nuk e kanë ditur që ka pasur varrezë masive.“Bëhet fjalë për 140 njerëz që janë vrarë”, tregon më tej ish-ushtari serb.