Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Amir Rrahmani, është infektuar me koronavirus, ka bërë të ditur klubi i tij, Napoli.
“Pas testimeve të kryera sot në mëngjes, pas rikthimit nga detyra me kombëtare, Amir Rrahmani ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19. Lojtari, që s’ka qenë në kontakt me grupin tjetër të lojtarëve, do të kalojë një periudhë kohore i izoluar në shtëpi”, thuhet në njoftim të klubit.
Rrahmani ishte pjesë e Kosovës në ndeshjet ndërkombëtare të nëntorit. Ai pësoi një lëndim në ndeshjen që Kosova e fitoi ndaj Moldavisë të mërkurën për të siguruar qëndrimin në Ligën C në Ligën e Kombeve.