Një përleshje fizike ka ndodhur në Qendrën e Studentëve, ku janë të karantinuar qytetarët që janë kthyer nga shtete të ndryshme.
Vetura të forcave të Policisë janë parë në oborrin e Qendrës së Studentëve.
Policia e Kosovës ka dhënë më shumë detaje për incidentin në Qendrën e Studentëve e cila tashmë është shndërruar në karantinë e ku po qëndrojnë qytetarë të cilët janë kthyer nga shtete të ndryshme.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, ka thënë për KOHËN se përleshja ka ndodhur rreth orës 23:00 në konviktin numër 3.
Sipas tij, në përleshje kanë qenë të përfshirë disa persona. “Rreth orës 23:00, në Konviktin nr. 3, në katin tre dhe katër, ka pasur disa probleme me disa persona që janë vendosur në karantinë aty. Policia ka ndërmarrë masat e duhura lidhur me rastin”, tha Krasniqi.