Rogana e Kamenicës bëhet me çerdhe të re

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, dhe Kryetarin e Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, vendosën gurthemelin e çerdhes së re në Roganë të Kamenicës.

Objekti i çerdhes së re, është bashkëfinancim i MASHTI-t (me 90%) dhe Komunës së Kamenicës (me 10%), do të ketë një sipërfaqe prej 594 metra katrorë. Punimet parashihen të përfundojnë për 12 muaj dhe në total çerdhja do t’i ketë gjashtë klasa me kapacitet 100 deri 120 fëmijë gjithsej.

Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se është një lajm shumë i mirë për banorët e Roganës dhe për qytetarët e Kamenicës në përgjithësi, duke pasur parasysh rëndësinë e arsimit në fëmijëri të hershme.

“Ky investim në arsim dhe atë në arsimin në fëmijëri të hershme, kur gjithnjë e më shumë studimet tregojnë që janë hapat vendimtarë për ngritjen e ardhshme në profesion, në karrierë dhe për bërjen e fëmijëve, një ditë, qytetarë intelektualë të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

Kjo është çerdhja e dytë që po ndërtohet gjatë këtij mandati, duke e bërë kështu Kamenicën me gjithsej tri çerdhe. Siç veçoi kryeministri, kryetari Rahimaj ka gjetur në funksion vetëm një çerdhe nga viti 1981, e cila është rinovuar, dhe tashmë janë shtuar edhe çerdhja në Koretin dhe kjo e sotmja në Roganë. 

Ai uroi të gjithë qytetarët, e në veçanti bashkatdhetarët, të cilët kur të vendosin që të kthehen në Kamenicë do të kenë çerdhe për fëmijët e tyre.

Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti

Jemi këtu bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci dhe me nikoqirin, kryetarin e Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj në Roganë të Kamenicës, të Dardanës, për të vënë gurthemelin e një çerdheje, e cila do t’i ketë afro 600 metra katrorë.

Do të kushtojë më pak se 650 mijë euro. Punimet do të kryhen për një vit, pra për 12 muaj dhe do t’i ketë 6 klasa me 100 deri 120 fëmijë gjithsej.

Është një lajm shumë i mirë për banorët e Roganës dhe për qytetarët e Kamenicës në përgjithësi.

Ky investim në arsim dhe atë në arsimin në fëmijëri të hershme, kur gjithnjë e më shumë studimet tregojnë që janë hapat vendimtarë për ngritjen e ardhshme në profesion, në karrierë dhe për bërjen e fëmijëve, një ditë, qytetarë intelektualë të Republikës së Kosovës.

Kjo është çerdhja e tretë në Kamenicë. Këtu, Kadri Rahimaj kur e ka marrë qeverisjen, e ka gjetur vetëm një çerdhe, të vitit 1981. Atë çerdhe e ka rinovuar dhe ia ka shtuar edhe dy të tjera tash, pra, njëra në Koretin dhe tjetra këtu në Roganë.

Urime të gjithë qytetarëve e urime edhe të gjithë bashkatdhetarëve, të cilët kur të vendosin që të kthehen në Kamenicë do të kenë edhe çerdhe për fëmijët e tyre.

54 vendbanime Kamenica, e ka pasur vetëm një çerdhe në vitin 1981. Tash atë e kemi rinovuar dhe dy të tjera i kemi filluar.

Faleminderit ministre, faleminderit kryetar dhe urime të gjithë qytetarëve!