Vendet e Bashkimit Evropian janë konsumatorët më të mëdhenj të kikirikëve në botë, ndërkohë që e gjithë kërkesa për këtë produkt plotësohet nga importet.
Konsumi i kikirikëve në vendet e Bashkimit Evropian vjen si rezultat i përfshirjes së tyre në shumë ushqime të ndryshme.
Aktualisht, Bullgaria dhe Greqia janë të vetmet vende në të gjithë Evropën që kanë nisur kultivimin e kikirikëve në territoret e tyre.
Nëse pjesa jugore e Greqisë dhe ishujt si Kreta kanë një klimë të nxehtë dhe të favorshme, Bullgaria është surprizë.
Po në Shqipëri?
Në Shqipëri mbetet ende mision i pamundur, por disa persona me pasion dhe njohuri po mundohen të provojnë të kundërtën.
Janë dy ish-emigrantë shqiptarë nga Saranda, ata që synojnë të ndërmarrin këtë iniciativë. Jani Nika dhe Dhimo Paskali kanë punuar në fushat e kikirikëve në Kavuri, Greqi.
Atje kikirikët janë kultivuar për herë të parë në 1915 dhe masivisht pas vitit 1985.
Plani i tyre është të kultivojnë kikirikët në tokat e tyre në vend duke shpresuar fillimin e një biznesi të veçantë dhe fitimprurës.
Të dy iniciatorët tregojnë për AgroWeb.org se gjatë verës së 2016 mbollën rreshta me rrënjë kikirikësh në kopshtet përreth shtëpive të tyre kryesisht si provë.
Ndërsa tashmë duan të kultivojnë sasi më të rëndësishme. Jani Nika thotë për AgroWeb.org se Saranda ka klimë të mirë për këtë kulturë, por duhet ta sigurojë kultivimin në një mjedis të mbrojtur.
‘Ngricat e Janarit të 2017 e rrezikuan shumë provën tonë, ndaj këtë rradhë kemi improvizuar një serë plasmasi’, tregon ai.
Kikirikët rriten në vendet e nxehta sepse kërkojnë një stinë të ngrohtë dhe reshje të qëndrueshme gjatë rritjes.
Një prodhimtari e mirë e kikirikëve kërkon ndriçimin e vazhdueshëm të diellit dhe kushte të ngrohta klimaterike.
Ekspertët e AgroWeb.org shpjegojnë se temperatura më e mirë dhe më e përshtatshme për kultivimin e kikirikëve është diku mes 22°C dhe 30°C.
Por mos harroni se kikirikët nuk rriten në pemë. Në fakt ata nuk janë as arrorë, por anojnë nga bishtajoret dhe kanë emrin botanik Arachis hypogaea.
Temperatura më të ulëta dhe ngricat ndikojnë negativisht në sasinë dhe cilësinë e kikirikëve të kultivuar.
Për më tepër, në fazën e pjekjes, kikirikët kërkojnë ngrohtësi dhe thatësi, karakteristika këto të zonave bregdetare të Shqipërisë.
Kikirikët janë të shijshëm, krokantë dhe me shije të veçantë. Ato janë shumë të preferuar në vendin tonë dhe të gjithë sasitë e konsumuara në vend vijnë nga importi.
Kikirikët vërtet janë bishtajorë, por ofrojnë cilësitë dhe vlerat e arrorëve si fistiku, bajamet, lajthitë dhe arrat.
Jani Nika dhe Dhimo Paskali vërtet nuk do ta mbushin dot me kikirikë tregun shqiptar, por iniciativa për kikirikë Shqipërie është e lavdërueshme. /AgroWeb/