Rishikimi i buxhetit pritet të kalojë me votat e PDK-së


Sot do të vazhdojë seanca e ndërprerë të premten për shqyrtimin e parë të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për 2020.

Shkak për ndërprerjen e seancës u bë një incident që ndodhi në mes të deputetit të LDK-së, Xhavit Ukaj dhe kryekuvendares, Vjosa Osmani.

Kryesia e Kuvendit, në një mbledhje menjëherë pas ndërprerjes së seancës, vendosi që ajo të mbahet sot në orën 14:00.

Ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami, të premten arsyetoi Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit mbi ndarjet buxhetore.

Ajo tha se propozimi është përgatitur në linjë me zhvillimet e fundit që janë krijuar nga situata me koronavirus dhe se miratimi i këtij projektligji, do t’i japë mundësi më të madhe rimëkëmbjes ekonomike të vendit.