Qeveria e Kosovës ditë më parë ka prezantuar Pakon e Ringjalljes Ekonomike, e cila kap vlerën prej 420 milionë eurove.
Në kuadër të kësaj pakoje si masë e pestë, Qeveria ka paraparë të ndajë 100 milionë euro investim në infrastrukturë dhe ambient.
Sipas një njoftimi të bërë nga LVV-ja, thuhet se nga buxheti i tërësishëm për investime kapitale, rreth 100 milionë euro janë të dedikuara për investime në projekte strategjike që kanë të bëjnë kryesisht me infrastrukturë rrugore e hekurudhore, si dhe me investime në ruajtjen e ambientit.
“Në kuadër të ambientit jemi duke negociuar me institucione financiare ndërkombëtare edhe për investime tjera në fushën e efiçiencës dhe energjisë elektrike, dhe jemi në hulumtim edhe për mundësi tjera financimi nga grantet dhe donatorët. Po ashtu, në këtë aspekt ka edhe investime tjera që janë duke u bërë e që janë jashtë buxhetit, siç është rasti me investimin në filterët e TC Kosova B, investim ky që sillet rreth 90 milionë euro, ku shumica është grant nga fondet IPA të BE-së. Kjo do të përmirësojë dukshëm cilësinë e ajrit dhe jetën e banorëve në komunat përreth”, thuhet në njoftim.
Ministri i Financave, Hekuran Murati gjatë prezantimit të kësaj pakoje, kishte bërë të ditur se mjetet e ndara nga buxheti për financimin e kësaj pakoje janë 190 milionë euro, ndërsa 230 milionë euro vijnë nga huamarrja.
Përveç investimit në infrastrukturë dhe ambient me vlerë 100 milionë euro, kjo pako përfshinë edhe mbështetjen e punësimit, ringjalljen e ekonomisë dhe prodhimit me vlerë 108 milionë euro, mbështetjen për familjet me vlerë 50 milionë euro, si dhe mbështetja për ndërmarrjet publike me vlerë 112 milionë euro.