Autoritetet e futbollit gjerman janë paralajmëruar se vendimi për t’i rinisur ndeshjet mund të jetë marrë më shpejt sesa që është dashur, pasi që klubi Dynamo Dreden është detyruar ta fusë të gjithë ekipin e parë në karantinë.
Bundesliga është në mesin e ligave të para të mëdha evropiane që planifikon ta rinisë futbollin, pasi të gjitha aktivitetet sportive u pezulluan në mars shkaku i përhapjes së koronavirusit, transmeton Gazeta Express.
Edhe liga e nivelit elitar Bundesliga edhe ajo e dytë Bundesliga 2 ishte planifikuar të rinisin më 16 maj, përderisa ndeshjet ishte vendosur të luhen prapa dyerve të mbyllura dhe klubet pranuan të luajnë nën masa strikte për ta mbrojtur shëndetin publik.
Mirëpo Dresden – që radhitet në pozitën e fundit në tabelën e Bundesligës 2 – tani do të duhet ta shtyjë ndeshjen e vet të parë, pasi që dy raste në skuadër i kanë dalë pozitivë për virusin Covid-19.
“Pas një analize të thellë të situatës, autoritetet shëndetësore në Dresden kanë vendosur se e gjitha skuadra e ligës së dytë, përfshirë këtu trajnerin dhe stafin mbështetës, do të duhet të vetëizolohen për 14 ditë në shtëpi”, thuhet në njoftimin e Bundesligës.
Dresdeni ishte planifikuar të luante si mysafir kundër Hannoverit pas pak më shumë se një jave, mirëpo tani klubi e ka konfirmuar se s’do të kenë mundësi të luajnë në këtë ndeshje.