Disa vende evropiane kanë filluar rihapjen e shkollave pas lehtësimit të masave parandaluese kundër pandemisë së koronavirusit.
Por, Kosova ende nuk ka një datë për rikthimin e mundshëm të nxënëseve në bankat shkollore.
Që nga 11 marsi të gjitha institucionet arsimore vazhdojnë të mbesin të mbyllura. pasi institucionet ende nuk kanë nisur masa lehtësuese në arsim.
Në Ministrinë e Arsimit të Kosovës nuk kanë ende vendim nëse nxënësit do të kthehen në shkollë për të vazhduar pjesën e mbetur për këtë vit.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, thotë se është vështirë të parashikohet kthimi i nxënësve në shkolla.
“Tani ne jemi në këtë kohë duke menduar se si ta përmbyllim vitin, se si ta organizojmë testin e arritshmërisë dhe si ta organizojmë testin e maturës. Jemi duke bërë përpjekje maksimale se si t’i krijojmë kushtet që të paktën për dy javë të kthehen në shkollë klasat e nënta për t’u përgatitur për testin e arritshmërisë, gjithashtu maturantët për t’u përgatitur për testin e maturës gjë e cila duket të jetë sfiduese sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe Ministrisë së Shëndetësisë”, tha ministrja Bajrami në një bisedë për Radion Evropa e Lirë.
Njohësit e fushës së arsimit në Kosovë theksojnë se rihapja e shkollave duhet të bëhet duke u bazuar në rekomandimet e IKSHPK-së si dhe praktikat e vendeve evropiane.
Rinor Qehaja nga Instituti “EdGuard”, thotë se Ministria e Arsimit duhet që të mendojë për një hapje të strukturuar të shkollave.
“Rifillimi i mësimit do të duhej të ishte subjekt i një vendimi të bazuar shkencor mbi transmetimin e sëmundjes nga grupmoshat reja, kjo e paraqitur si rekomandim nga Instituti i Shëndetit Publik. Nëse është dëshmuar nga publikime shkencore dhe praktika të vendeve tjera, që transmetimi mes fëmijëve është i vogël, atëherë kjo duhet të jetë pikënisje e një hapje të strukturuar të institucioneve arsimore”, thotë Qehaja.
Gjasat e rikthimit të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme për të vazhduar vitin aktual shkollor janë të pakta për shkak se me 16 qershor përfundon viti mësimor për klasën e 9, 10 dhe 11 ndërkohë që viti mësimor për parafillorët dhe klasat 1 deri në 8 përfundon më 26 qershor.
Viti i ri shkollor pritet që të nisë në shtator, por do të varet shumë nga zhvillimi i situatës me pandeminë e koronavirusit të ri.
Një prej problemeve me të cilin përballen shkollat në Kosovë, sidomos ato në zonat urbane, është numri i madh i nxënësve në klasa.
Nga 30 deri në 45 sillet numri i nxënëseve në një klasë si në shkollat fillore ashtu edhe në ato të mesme.
Këshilli i Prindërve të Kosovës është i shqetësuar për gatishmërinë e institucioneve për të filluar një vit të ri normal mësimor në muajin shtator.
Udhëheqësi i këtij këshilli, Ymret Reshiti thotë për Radion Evropa e Lirë se Ministria e Arsimit duhet marrë praktikat e shteteve perëndimore duke krijuar distancën fizike mes nxënësve në klasa si dhe ndarjen e nxënësve në grupe me orare të ndryshme.
“Ministria e Arsimit duhet që t’i provojë të gjitha variantet që janë më praktike, që e mundësojnë mbajtjen sa më efektive të procesit mësimor nga shtatori. Nëse thuhet se kanë qenë të papërgatitur për këtë fazë që jemi ballafaquar me pandeminë, nuk arsyetohet mungesa e një sistemi ‘online’ për rastet si kjo që ka ndodhur. Ministria e Arsimit duhet të marrë praktika dhe modele që i praktikojnë vendet evropiane dhe t’i aplikojë nga shtatori, nëse vazhdon pandemia”, thotë Reshiti.
Por, aktualisht institucionet e Kosovës nuk kanë në dispozicion një model të tillë të rioraganizmit të mësimit.
Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami thotë se numri i madh i nxënësve nëpër klasa mbetet sfidë shumë e madhe për sistemin arsimor në Kosovë.
Sipas saj, periudha e pushimit të verës do të shërbejë për të gjetur një zgjidhje praktike për mbarëvajtje normale të mësimit edhe në rast të vazhdimit të pandemisë.
“Të ju them të drejtën, ende nuk kemi ardhur në përfundim. Jemi shumë të koncentruar në përfundimin e këtij viti dhe në organizimin e dy testeve, pastaj intensivisht duhet të punohet për të gjetur një zgjidhje për fillimin e vitit të ri shkollor”, thotë ministrja Bajrami.
Danimarka u bë një nga vendet e para në Evropë që vendosi për mbylljen e shkollave pas shfaqjes së rasteve të para të të infektuarve me koronavirus.
Vendimin për mbylljen e shkollave, institucionet daneze e morën më 12 mars në kuadër të vendosjes së masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.
Danimarka u bë edhe shteti i parë në Evropë që rifillojë lehtësimin e kufizimeve në arsim, kthimin e nxënëseve në shkolla.
Hapjen e shkollave Danimarka e koncentroi në ndarjen e klasave në grupe, krijimin e orareve të ndara, krijimin e distancës fizike prej dy metrash në klasë, vendosjen e regjimit strikt të dezinfektimit të duarve nga nxënësit dhe personelit shkollor si dhe mbajtjen e orëve mësimore në ambiente të jashtme.
Danimarka konsiderohet se ka një prej sistemeve me të avancuara të arsimit në Evropë.
Bazuar në të dhënat e institucioneve daneze, mesatarja e nxënësve në një klasë në rrethana normale është rreth 22.
Pavarësisht hapjes së shkollave në këtë shtet nuk pati rritje të dukshme të rasteve me koronavirus.
Sipas të dhënave të “WorldoMeters” deri më tani Danimarka ka të konfirmuara gjithsej 11,387 raste me koronavirus, 563 persona të vdekur si dhe 9,946 persona të shëruar.
Shumë vende të tjera evropiane i kanë hapur shkollat duke përfshirë këtu Gjermaninë dhe Austrinë. Mirëpo edhe në këto shtete janë vendosur masa parandaluese të shpërndarjes së virusit duke përfshirë distancën fizike, uljen e numrit të nxënësve nëpër klasa si dhe dezinfektimin e vazhdueshëm.