Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi sot është paraqitur në seancën e parë gjyqësore në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.
Aktakuza kundër Rexhep Selimit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor 2020 dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.
Aktakuza e ngarkon Rexhep Selimin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale.
Kujtojmë se dje në seancë është paraqitur edhe ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli i cili u vetë deklarua i pafajshëm për aktakuzat që e rëndojnë.
Të pafajshëm janë deklaruar edhe ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi.