Rënia e çmimit të naftës, Berjani: Është rritur prodhimi dhe kjo ka reflektuar edhe tek ne


Ditëve të fundit është vërejtur një rënie e lehtë e çmimit të naftës.

Kryetari i Shoqatës të Naftarëve, Fadil Berjani ka thënë se arsyeja e rënies së çmimit është rritja e prodhimit nga organizata prodhuese OPEC.

“Në bursë kanë rënë çmimet dhe ka reflektuar edhe tek ne në Kosovë. Ndikim në rënien e çmimit ka edhe organizata prodhuese OPEC, që e ka shtuar prodhimin. Kur ka prodhim të rritur kemi rënie të çmimit dhe kjo është duke reflektuar edhe tek ne në Kosovë”, u shpreh ai.

Aktualisht një litër naftë, sipas tij, është duke u shitur me çmim rreth 1 euro e 62 centë.

Berjani theksoi se kosovarët janë duke u shërbyer me çmimet më të ulëta në regjion, përveç Maqedonisë së Veriut.

“Tash nuk kemi çmim të imponuar apo çmim tavan, Kosova është treg i hapur dhe shteti më i vogël në botë, me më së shumti pika karburanti. Është një konkurrencë dhe garë e madhe për çmim. Oferta dhe kërkesa e krijon çmimin. Çmimet janë në rënie e sipër, qytetarët tanë janë duke u shërbyer me çmimet më të ulëta në regjion, përveç Maqedonisë së Veriut, e cila e ka akcizën e dizelit më të ulët se ne, për 22 cent. Lus qytetarët tanë që kur të shërbehen me derivate, të kërkojnë edhe kuponin fiskal”, tha Berjani për Klankosova.tv.