Remonti i planifikuar i bllokut B1 të termocentralit “Kosova B” ka nisur saktësisht më 7 gusht, dhe është paraparë që punët remontuese në këtë stabiliment të zgjasin diku deri më 27-28 gusht. Pra, kanë mbetur edhe disa ditë, më saktësisht edhe 4-5 ditë deri në kthimin në punë të kësaj njësie prodhuese të termocentraleve të Kosovës, që në njëfarë mënyre të tejkalohet së paku për njëfarë kohe kriza elektroenergjetike.
Periudhën disa mujore të qetësisë elektroenergjetike që pati Kosova pas krizës së madhe energjetike të shpërfaqur në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, e destabilizoi ndjeshëm nisja e punëve të remontit në Bllokun B1 të termocentraleve “Kosova B”.
Remonti i planifikuar i B1-shit ka nisur saktësisht më 7 gusht, dhe është paraparë që punët remontuese në këtë stabiliment të zgjasin diku deri më 27-28 gusht. Pra, kanë mbetur edhe disa ditë, më saktësisht edhe 4-5 ditë deri në kthimin në punë të kësaj njësie prodhuese të termocentraleve të Kosovës, që në njëfarë mënyre të tejkalohet së paku për një kohë kriza elektroenergjetike për mungesë të energjisë së prodhuar nga termocentralet tona.
Siç dihet, blloku B1, sikundër edhe B2-shi, kanë kapacitet të prodhimit në gjenerator nga 300 megavatë-orë, ndërsa kapaciteti i këtyre dy blloqeve në rrjet është saktësisht nga 260 megavatë-orë secili. Kjo do të thotë, se pas kthimit të B1-shit në prodhim, që pritet të ndodhë më 27, ose 28 gusht, nëse gjithçka shkon sipas planeve, konsumit të Kosovës do t’i shtohen 260 megavatë-orë, ose sasia e rrymës që aktualisht po i mungon konsumit të vendit dhe që për pasojë të kësaj mungese ka ditë që kanë nisur reduktimet goxha të ashpra, përkatësisht 2 orë pa energji elektrike dhe 6 orë pa të.
Pra, nëse nuk ndodhë ndonjë e papritur dhe ndonjë defekt teknik i paparashikuar, nga fundi i gushtit do të jenë në prodhim gjithsej katër blloqe të termocentraleve (B1 dhe B2 të “Kosova B” dhe A3 e A4 të “Kosovës A”, që bashkarisht do të prodhonin diku rreth 780 megavatë-orë energji elektrike (B1 dhe B2 bashkarisht diku rreth 520 megavatë-orë dhe A3 dhe A4 bashkarisht 260 megavatë-orë), që i bie thuaja se aq sa përafërsisht lëvizë konsumi i Kosovës në ditët verore.
Në këtë sasi që do të ketë në dispozicion Kosova pas rikthimit të B1, duhet shtuar edhe diku rreth 100 megavatë-orë të prodhuara nga stabilimentet te energjisë së rinovueshme.
Në muajt në vijim, në remont do të jetë vetëm blloku A5, i “Kosovës A”, tek i cili do bëhet remonti kapital dhe do të zgjasë diku deri në nëntor të këtij viti. Kjo është gjendja aktuale, e shpërfaqur qartë sidomos pas shkuarjes së përnjëhershme në remont të A5-shit dhe B1-shit, përkatësisht pas ndërprerjes së prodhimit në këto dy stabilimente.
Ndërsa, problemet reale nga mungesa e energjisë elektrike pritet të paraqiten tek në muajt e dimrit, kur rritet ndjeshëm konsumi në vend dhe kur kapacitetet prodhuese të vendit (termocentralet dhe stabilimentet ekzistuese të energjisë së rinovueshme) nuk do të arrijnë të përmbushin nevojat e konsumit.
Në këta muaj të ftohtë dhe në këto rrethana, Kosova nuk ka alternativë tjetër pos të importojë energji me çmime tepër të shtrenjta, ose të aplikojë reduktime të stërzgjatura. Dhe që të dy këto alternativa do të jenë të rënda, qoftë për shtetin që është e diskutueshme që tani se a do të ketë paratë e nevojshme për të importuar rrymën e nevojshme, qoftë për qytetarët e Kosovës, e sidomos për ata të varfërit, të cilët nuk do ta kenë të lehtë të përballen me terrin. Duhet thënë se pas ndërprerjes së përnjëhershme të prodhimit në B2 dhe në A5 për shkak të remonteve të tyre, pra, u riaktualizua problemi i brishtësisë së sistemit elektroenergjetik të vendit, duke dëshmuar se edhe në muajt e verës me stabilimentet e stërvjetruara energjetike, është e pasigurtë dhe nuk premtohet ndonjë stabilitet i qëndrueshëm elektroenergjetik në muajt vijues, e sidomos gjatë dimrit.
Rënia e një blloku të termocentraleve kosovare, tashmë të stërvjetruara, qoftë me plan, qoftë pa plan, automatikisht shkakton mungesë të ndjeshme të energjisë elektrike për nevojat e konsumit kosovar. Sepse, me shkuarjen e bllokut A5 të Kosovës A dhe të B1-shit në remont, në ditët e para të gushtit, Kosova ka pasur ndjeshëm më pak energji të vetën në dispozicion.
Më saktësisht, kur t’i shtohet minus 140 megavat-orë energji elektrike të A5-shit dhe sasia që do ta prodhonte blloku B1 i Kosovës B (rreth 260 megavat-orë), që poashtu deri në fund të gushtit, gjendet në remont të planifikuar, del sheshit mungesa e rrymës që këtyre ditëve nuk e ka pasur në dispozicion sistemi elektroenergjetik i vendit. Ndërsa, konsumi aktual i Kosovës sillet pak a shumë rreth 700 -750 megavatë, ndërsa gjatë sezonit të dimrit, di të shkojë edhe në 1280-1300 megavat-orë. Si do të sigurojë Kosova sivjet, në muajt në vazhdim energjinë elektrike që do t’i mungojë mbetet të shihet. /Buletini Ekonomik/