Rektori Sahiti: S’do të lejoj që vendimmarrja të ndikohet nga politika

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti i cili u zgjodh sot, tha se nuk do të lejojë që vendimmarrja të ndikohet nga politika.

Ai ka thënë se prioritetet e tij kanë të bëjnë me procesin e mësimdhënies, përmirësimin e cilësisë, përmirësimin e infrastrukturës së Universitetit të Prishtinës.

Ai ka thënë se ka pasur pritshmëri se do të jetë rektor.

“Rektori duhet të jetë rektor që qëndron prapa interesave të studentëve. Për ekipin kam menduar, nuk është çështje e kryer, por me kohë do të informoheni për të zgjedhurit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se do të punojë brenda kornizës ligjore.

“Brenda kornizave të tilla qoftë bashkëpunim legal edhe me politiken do ta përkrahi, por jashtë këtyre nuk do të ndikohet”, ka thënë ai. “Jam i interesuar që vendimmarrja të mos ndikohet nga politika”.

Sahiti ka thënë se ndryshimet në statutin e Universitetit të Prishtinës janë të nevojshme, derisa ka shtuar se do të vazhdojnë t’i bëjnë këto ndryshime që kanë filluar edhe gjatë kohës sa ai ishte prorektor.