Zyra për pjesëmarrjen e Viktimave në kuadër të Dhomave të Specializuara të Hagës ka dorëzuar raportin e shtatë me aplikimet e personave që pretendojnë të jenë viktima të UÇK-së, në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lajmi.net e ka parë raportin e kësaj zyreje, në të cilin shihet se 46 persona kanë aplikuar për statusin e viktimës pjesëmarrëse në gjykimin kundër krerëve të luftës.
Këta aplikantë, pretendojnë se anëtarë të familjes së tyre të ngushtë janë kidnapuar nga ushtarë të UÇK-së, zhdukur, e disa prej tyre më vonë janë gjetur të vrarë.
Sidoqoftë asnjë nga 46 personat që po pretendojnë të jenë viktima të UÇK-së, nuk kanë arritur të dëshmojnë se anëtarët e tyre të familjes që ata pretendojnë se janë marrë nga anëtarë të UÇK-së, janë dërguar në ndonjë prej “burgjeve” për të cilat Prokuroria i akuzon Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin, shkruan lajmi.net.
E kjo është arsyeja kryesore pse Zyra Për Pjesëmarrjen e Viktimave, i ka rekomanduar gjyqtarit paraprak që t’i hedh poshtë të 46 aplikimet.
Kjo zyre, ka kërkuar nga Gjyqtari Paraprak të veprojë siç ka bërë më herët kur ka refuzuar aplikimet e viktimave të pretenduara dhe t’i përmbahet rregullave të konfidencialitetit.
Kësisoj, ky institucion brenda Speciales ka kërkuar që emrat e aplikuesve mos të shpërndahen në publik.

