Reçica: Do t’u njihet stazhi i punës të gjithë punonjësve të larguar nga puna me dhunë, në vitet 1990-1999

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka folur për njohjen e stazhit të punës për të punësuarit e viteve 90-të, e që ata marrin pension bazik.

“Çështja e pensionisteve kontributpagues ka qenë preokupim imi si ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale edhe në mandatin e kaluar e vazhdon të jetë edhe tani në këtë mandat dhe jo vetëm preokupim, por edhe prioritet imi dhe i Qeverisë aktuale, e them prioritet, sepse në programin e MPMS-së dhe të Qeverisë, por edhe në agjendën legjislative kemi paraparë veprime konkrete për t’u dhënë zgjidhje të gjitha problemeve që janë ballafaquar pensionistët tanë tash e 20 vjet” ka thënë Reçica.

“Jemi në pritje të deklaratës financiare nga ana Ministrisë së Financave për të proceduar tutje për miratim në qeveri këtë projekt ligji, konform agjendës legjislative, që nënkupton datë 30 korrik 2020. Me këtë projektligj janë paraparë ndryshimet e domosdoshme, të cilat do të përmirësojnë të gjeturat të cilat për një kohë të gjatë kanë qenë barrierë për pensionistët. Me projektligjin e ri: I. Do t’iu njihet stazhi i punës të gjithë punonjësve të larguar nga puna me dhunë në vitet 1990-1999 dhe me këtë rast do t’u njihet e drejta në pension kontribues këtyre punëtorëve të viteve 90-të” ka vlerësuar tutje ai.