Reagon kompania e ujit për të cilën Maqedonia e Veriut tha se gjeti një bakter

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Maqedoninë e Veriut tha se është duke inspektuar të gjitha dërgesat e ujit të importuar burimor nga Kosova, pasi analizat laboratorike zbuluan praninë e bakterit koliform në një mostër uji nga shteti fqinj.

Bëhet fjalë për ujin “Rugova”, të cilët kanë reaguar përmes një komunikate në lidhje me lajmet që qarkulluan këtë të martë, raporton Zeri.info.

Sipas kësaj kompanie, për të bërë eksportin atyre u është dashur t’i nënshtrohen një procesi rigoroz për licencim dhe se kanë përmbushur kriteret e cilësisë të cilat shteti i Maqedonisë së Veriut i kërkon.

Sa i përket mostrës, ata thonë se ajo ishte pjesë e procedurës standarde të kontrollit kufitar para se produkti të hidhej në treg.

Kompania në fjalë tregon se kanë kërkuar që të njëjtës mostër t’i bëheshin analiza nga nga autoritetet përkatëse maqedonase.

Ata thonë se eksportojnë edhe në tregje të tjera dhe se përmbushin kriteret e cilësisë, teksa potencojnë se çdo interpretim që vë në dyshim cilësinë dhe sigurinë e ujit është i pabazuar dhe i pavërtetë.

“Jemi të përkushtuar të ofrojmë vetëm produkte të sigurta dhe cilësore për konsumatorët tanë, kudo ku operojmë dhe për këtë sigurojmë qytetarët që asnjë shishe e ujit nuk hidhet në treg pa i kaluar të gjitha testimet laboratorike”, thuhet ndër tjera.

“Rezultatet e analizës së dytë konfirmuan se uji është i pastër, i pijshëm dhe pa asnjë problem cilësor”, thuhet ndër tjera, teksa bashkëngjitin edhe rezultatet e analizës së dytë.