Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, e ka mirëpritur dakordimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për Deklaratën për Personat e Zhdukur.
Ndër të tjera në deklaratë përmendet edhe termi persona të zhdukur me dhunë.
Borrell ka thënë se nga 6065 raste të personave të zhdukur nga 1 janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor të vitit 2000, 1621 mbeten ende të pazgjidhura.
“Të dyja palët e kanë njohur çështjen e personave të zhdukur si një çështje humanitare dhe kanë vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje të përbashkëta shtesë për të lehtësuar situatën e familjeve të prekura dhe të komunitetit më të gjërë. Ata kanë pranuar punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit Punues për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC). Si shenjë e vendosmërisë së tyre të përbashkët për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve të tyre në fushën e Personave të Zhdukur, ata kanë miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur”, ka thënë Borrell. “Ata janë zotuar se do të bien dakord për detajet operacionale në takimin e ardhshëm të nivelit të kryenegociatorëve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.
Borrell ka thënë se BE-ja mirëpret miratimin e deklaratës nga palët dhe pret që të bëhet përparim i prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura.
“Komiteti i Përbashkët i Monitorimit i kryesuar nga BE-ja që mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin e Zbatimit të saj, do ta shqyrtojë rregullisht progresin e arritur”, tha Borrell.